Foto-ilustrim

Gjen Traktorin e Vjedhur në Vitin 1999

Një traktor që pronarit të tij nga Suhogërlla e Istogut i ishte vjedhur në vitin 1999 është gjetur nga Policia e Kosovës në Zubin Potok.

Më 27 korrik 2016 personi me inicialet Sh. A. nga Suhogërlla e Istogut raportoi në polici vjedhjen e traktorit të tij në vitin 1999.

Policia me anë të një komunikate njoftoi sot se ky traktor është gjetur në Zubin Potok te personi me inicialet Dj. M.

“Pas një pune intensive operativo-hetimore hetuesit policorë kanë arritur që të identifikojnë dhe gjejnë mjetin për të cilin kishte raportuar viktima dhe i njëjti është gjetur në qytetin e Zubin-Potokut”, thuhet në komunikatën e policisë.

Si i dyshuar për këtë vjedhje është identifikuar i dyshuari me inicialet Dj. M.

“Me këtë rast është identifikuar i dyshuari me iniciale: Dj.M. shtetas kosovar serb  lindur në vitin 1960 dhe ndaj tij është parashtruar kallëzim penal për vepër penale të vjedhjes së rëndë”, vijon komunikata.

Policia bën me dije se traktori i është kthyer pronarit.

“Traktori është konfiskuar, pas verifikimit të numrave të shasisë i është kthyer pronarit”, tregoi policia.

Sipas policisë, ky rast i është dërguar prokurorisë për procedura të mëtejme.

Më 15 shkurt KALLXO.com shkroi se pjesë të disa veturave të vjedhura në Prizren janë gjetur në Mitrovicën Veriore.

http://kallxo.com/gjenden-ne-veri-pjese-te-veturave-te-vjedhura-ne-prizren/