Ilustrim - Arkiv - Tymtarët e TC Kosova A

Ndërrimi i filtrave në Termocentrale, ‘jetik’ për ajër të pastër

Shtëpia e dy termocentrale, ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) konsiderohet si një ndër ndotësit më të mëdhenj  të ajrit në vend duke ndikuar në jetën e qytetarëve.

Sipas inventarit të emisioneve të ndotjes së ajrit në Kosovë, industria është burimi më i madh i emetimeve të dioksidit të squfurit (SO2) me 96%.

Një projekt tjetër i Bashkimit Evropian në kuadër të fondeve të IPA-së për ndërrimin e filtrave në njësitë e Termocentralit, ‘Kosova B’ po shihet si shumë pozitive. Filtrat do të ulnin ndotjen nga ky termocentral.

Ky projekt kap vlerën e 76 milionë euro ndërsa 11 milionë euro të tjera janë ndarë nga Korporata Energjetike e Kosovës për projektin e intervenimeve në kazan.

Skënder Bucolli, zëdhënës i KEK-ut  tha për KALLXO.com se projekti ishte paraparë të nis në qershor të vitit 2020 në njësinë B1 dhe në mars të 2021 në njësinë B2.

Bucolli ka theksuar se shtyrja e vendosjes së këtyre filtrave është bërë për shkak të pandemisë COVID-19.

Ndërsa së fundi është konstatuar se para vendosjes së filtrave duhet të bëhet intervenime në kazan apo dilatimeve e që kjo do të zgjas nisjen e projektit.

“Projekti i elektro-filtrave dhe DeNOx-it sipas kontratës ishte planifikuar të filloj në Qershor 2020 në njësinë B1 dhe në Mars 2021 në njësinë B2. Mirëpo për arsye të pandemisë afati ishte shtyrë për një vit. d.m.th njësia B2 në Mars, 2021 kurse në B2 në Mars, 2022. Po për të njëjtën arsye të pandemisë por edhe për shkak të nevojës së konstatuar për intervenime në kazan (dilatimeve) projekti është shtyrë që në B-2 të filloj në Prill, 2023, kurse B-1 në Prill, 2024”, tha ai.

Ilustrim, Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zyra e Bashkimit Evropian tha për KALLXO.com se të gjitha punët e parapara të kryhen para vendosjes së filtrave do të kryhen nga KEK.

Ajo shtoi se punime do të nisin pas këtyre riparimeve në termocentralin, ‘Kosova B’.

“Punimet e financuara nga BE për të instaluar filtra të rinj (për të hequr pluhurin në tym) dhe për të zbatuar masat për përmirësimin e procesit të djegies (për të ulur NOx) në termocentralin Kosova B me qymyr, me të vërtetë nuk kanë filluar ende.  Për shkak të pandemisë Covid- 19, deri më tani mund të zbatoheshin vetëm aktivitetet e anketimit dhe projektimit.  Një studim i kaldajave të termocentralit i kryer në vitin 2021, tregoi se nevojiten riparime përpara se të zbatohen punimet e financuara nga BE.  KEK-u do t’i kryejë këto riparime përgjatë viteveit 2022 dhe -2023.Punimet e financuara nga BE-ja do të bëhen pasi KEK-u të ketë kryer riparimet.  Termocentrali Kosova B ka dy njësi, B1 dhe B2.  Punimet në njësinë B2 janë planifikuar në vitin 2023, ndërsa ato në njësinë B1 në vitin 2024”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Ish -Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi e ka quajtur projekti për kapital për Kosovën, ndërrimin e filtrave në Termocentralin, ‘Kosova B’.

Ai tha për KALLXO.com se modernizimi i termocentraleve në Kosovë është i rëndësisë jetike për shëndetin e banorëve.

Sipas Matoshit, përhapja e pandemisë COVID-19 shpërfaq nevojën për zhvillimin e këtij projekti.

“Por më duhet të theksojë se përhapja e pandemisë normalisht do të duhej të përshpejtonte zhvillimin e projektit, dhe të ishte një arsye më shumë që ai projekt të përfundonte sa më parë, sepse përfundimi sa më i shpejtë i tij ka ndikim të drejtpërdrejtë në ajër dhe kështu edhe në shëndetin e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai për KALLXO.com

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tregon se një projekt i tillë do të ulë emetimet e pluhurit të termocentralit, ‘Kosova B’ në mënyrë të ndjeshme.

“Projekti i financuar nga BE-ja do të përmirësojë jetën e qytetarëve dhe do të ketë ndikim pozitiv në disa fusha. Projekti do të ulë ndjeshëm emetimet e pluhurit të termocentralit (me 35 herë) në 20 mg/Nm3 dhe NOx (me 4 herë) në 200 mg/Nm3.  Cilësia e përmirësuar e ajrit do të ketë një efekt të menjëhershëm në shëndetin dhe mirëqenien e popullatës në zonat përreth, duke përfshirë kryeqytetin Prishtinën dhe komunat e Obiliqit dhe Fushë Kosovë.

Zyra e BE-së në Kosovën tha se pas vendosje së filtrave, termocentrali, ‘Kosova B’ do të jetë në përputhje me Direktivën e BE-së për Impiantet e Mëdha me Djegie.

Punimet sipas kësaj zyrë planifikohen të bëhen njësi për njësi në mënyrë që të mos ndalohet prodhimi i energjisë elektrike.

“ Gjatë zbatimit të punimeve, Njësia përkatëse do të ndalet.  Filtri ekzistues do të prishet dhe do të zëvendësohet me një më të madh.  Në të njëjtën kohë, do të instalohet sistemi i brendshëm i transportit të hirit dhe pajisjet për reduktimin e emetimeve të Oksideve të Azotit (NOx”, kanë thënë nga Zyra e BE-së në Kosovë për KALLXO.com

Filtrat në termocentralin, ‘Kosova B’ nuk janë ndërruar që nga ndërtimi i tij në vitet ’80.

Sipas një raporti nga Agjencia e Mjedisit në Kosovë  në vitet 2018-2019 emisionet e pluhurit të shkarkuara nga TC-A nuk kanë pasur tejkalime ndërsa në TC-B vlerat e emituara të pluhurit janë shumë të larta.

Ndërsa kjo dukuri mund të shpjegohet me vjetërsimin e elektrofiltrave e që çdo vit vlerat maksimale të lejuara po tejkalohen.

Sipas Direktivës Evropiane 2001/80/KE dhe Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2007 për rregullat dhe normat e emetimit të ajrit nga burimet jo të lëvizshme me shkallë të lartë të djegies, kufiri nga ndotësit është si në vijim:

– Për dioksidin e squfurit (SO2): 400 µg/Nm3

– Për oksidet e azotit (NOx): 500 µg/Nm3

– Për pluhur: 50 µg/Nm3

Një raport tjetër i ‘Bankwatch Network’ për vendet e Ballkanit Perëndimor konsideron zgjidhje, ‘mbylljen’ e ndotëseve më të lartë të ambientit.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) bën monitorimin e cilësisë së ajrit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përmes Rrjetit Shtetëror për Monitorimin e Cilësisë së Ajrit.

Ky rrjet është i përbërë nga 12 stacione automatike fikse dhe një stacion automatik mobil. Shpërndarja e stacioneve dhe përzgjedhja e lokacioneve monitoruese është bërë konform kritereve të Direktivës 2008/50/EU për ajër të pastër në Evropë dhe ligjeve vendore.

Fondacioni i Mijëvjeçarit të Kosovës – MFK (financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit-MCC) gjatë vitit 2020, Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës – IHMK, i ofroi  mbështetje nga për zhvillimin e mëtejshëm të rrjetit të komunikimit që ofron të dhëna për cilësinë e ajrit në kohë reale nëpërmjet këtij portali online.

Ndërsa në muajin nëntor të vitit 2019, IHMK është mbështetur nga MFK për zhvendosjen e tri Stacioneve për Monitorimin e Cilësisë së Ajrit (SMCA) në Gjilan, Prizren dhe Drenas, si dhe renovimin e rrethojës metalike në Mitrovicë.

Bazuar në kriteret e lartpërmendura stacionet janë shpërndarë në 9 (nëntë) komuna të Republikës së Kosovës: Prishtinë, Obiliq, Drenas, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Shtërpcë (Brezovicë), Hani i Elezit dhe Gjilan.

Shkrime të tjera për cilësinë e ajrit – LINK

Për të dhëna të detajuara dhe monitorimin dhe parashikimin e cilësisë e ajrit mund të informoheni duke klikuar në portalin e IHMK-së: airqualitykosova.rks-gov.net

Po ashtu për informata rreth ndikimit të ajrit në shëndetin tuaj mund të klikoni në portalin e IKShPK-së: ajri.niph-rks.org/sq/airquality-sq

Ju mund ta shkarkoni në pajisjen tuaj smart edhe aplikacionin për monitorimin dhe parashikimin e cilësisë ajrit Air Quality in Kosovo në platformat iOS App Store dhe Android Play Store.

Projekti “Përdorimi i mediave për të rritur vetëdijen lidhur me shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë” është pjesë e “Dig Data Challenge” e mbështetur nga Millennium Foundation Kosovo (MFK) dhe Millennium Challenge Corporation (MCC), si pjesë e Dig Data Challenge për të dhënat mbi cilësinë e ajrit. Projekti implementohet nga Internews Kosova.