Gjakova me Kontroll më të Rreptë të Cilësisë për Pijet Alkoolike

Qytetarët e Gjakovës të cilët prodhojnë pije tradicionale alkoolike pritet që në të ardhmen t’i nënshtrohen tatimit dhe kontrollit të cilësisë.

Sot në sallën e Kuvendit Komunal të Gjakovës u mbajt shqyrtimi publik i Draft-rregullores komunale për Certifikimin me Pije Alkoolike.

Në prezantimin e draft-rregullores nga zyrtarë të Drejtorisë së Inspeksionit morën pjesë afaristë dhe qytetarë të interesuar.

Drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit, Mentor Sylmeta tha se me këtë rregullore janë paraparë disa ndryshime rrënjësore, të cilat pritet të ndikojnë pozitivisht në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe në krijimin e një tregu të sigurt të pijeve alkoolike.

Sylmeta tha se me draft-rregullore është paraparë zbritja e çmimeve për taksat e licencimit për punë me pije alkoolike, çmime të cilat pritet të miratohen nga Asambleja.

Qytetarët gjatë këtij prezantimi kërkuan më shumë kontroll të cilësisë së pijeve alkoolike qoftë industriale, qoftë tradicionale.

Drejtori Sylmeta shpjegoi se me draft-rregullore edhe prodhuesit shtëpiak e tradicionalë të pijeve alkoolike do të paguajnë një taksë komunale dhe do t’i nënshtrohen kontrollit të cilësisë për produktet e tyre.

Draft-rregullorja pas prezantimit para të interesuarve do të shqyrtohet në mbledhjen e Kuvendit të Komunës.