Konferenca për transparencën e komunave - Foto: Ec ma Ndryshe

‘Gjakova dhe Prishtina, Komunat më Transparente’

Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” ka publikuar Indeksin e Reformës së Transparencës Komunale, në kuadër të cilit janë pasqyruar rezultatet për 13 grupe indikatorësh relevantë që tregojnë nivelin e transparencës gjatë vitit 2016 në komunat e Prishtinës, Prizrenit, Ferizajt, Pejës, Gjilanit, Gjakovës, Mitrovicës, si dhe Rahovecit, Vushtrrisë, Malishevës, Suharekës, Klinës, Dragashit, Shtërpcës dhe Mamushës.

Indeksi është lansuar gjatë konferencës, ku panelistë kanë qenë drejtues të komunave, aktivistë të shoqërisë civile, gazetarë, etj.

Sipas një komunikate të OJQ-së “EC Ma Ndryshe”, në Indeksin e Reformës së Transparencës Komunale për vitin 2016 figuron se Komuna e Prishtinës dhe ajo e Gjakovës përbëjnë grupin e parë të komunave transparente me 66 për qind të vlerësimit të përgjithshëm.

Pastaj, sipas komunikatës, radhiten Peja e Gjilani me 51 përkatësisht 50 për qind, të pasuara nga Mitrovica me 47 për qind, Ferizaj 43 për qind e Prizreni 39 për qind.

Te komunat që nuk janë qendra rajonale prijnë Rahoveci dhe Vushtrria me 48 për qind, pastaj Malisheva me 43, Suhareka 42, Klina 41, Shtërpca 37, Dragashi 31 dhe Mamusha me 26 për qind.

Transparenca në luftimin e keqpërdorimeve, prokurimin publik, menaxhimin e pronës komunale, pastaj në planifikimin urban dhe monitorimin e projekteve urbanistike mbeten sfida të rëndësishme për komunat, thuhet në komunikatë.

Grupet e indikatorëve që janë monitoruar dhe mbi të cilat është shkruar Indeksi janë: Kryetari, drejtorët dhe anëtarët e Kuvendit, organizimi dhe funksionimi, puna e organeve politikëbërëse dhe vendimmarrëse, luftimi i sjelljeve të pahijshme dhe keqpërdorimeve, integrimi europian, kontabiliteti dhe buxheti, kontratat e prokurimit publik, furnizimit dhe granteve, të punësuarit në administratën publike dhe organizatat/institucionet publike, pasuria kapitale dhe jokapitale, informimi dhe shërbimi i qytetarëve, etj.

Projektin “Indeksi i Reformës së Transparencës Komunale”, “EC Ma Ndryshe” e ka iniciuar nga maji i vitit 2015 dhe i njëjti ka shtrirje në komunat e sipërpërmendura.

Projekti në fjalë ka për qëllim që t’i asistojë komunat në identifikimin e mangësive kryesore sa i përket transparencës sikurse edhe të ofrojë udhëzime për adresimin dhe tejkalimin e tyre.