Gjakova me Aplikacion për Raportim Mbeturinash

Së shpejti qytetarët e Komunës së Gjakovës nëpërmjet një aplikacioni mund të raportojnë te autoritetet lokale në lidhje me deponitë ilegale të bërllokut.

Aplikacioni do të ndërtohet në kuadër të projektit “Të Kujdesemi për Gjakovën”, financues dhe zbatues i të cilit është Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Drejtori i Administratës së Përgjithshme në Komunën e Gjakovës Armend Vokshi tha se aplikacioni do të mundësojë raportimin e atyre që hedhin mbeturina.

“Do të kemi një aplikacion në të cilin do të ketë qasje si në ‘IOS’ dhe në ‘Android’. Aplikacioni i tillë ka për qëllim sistemin shumë të lehtë të qasjes të secilit qytetar në raportim, sidomos tek ata që e keqpërdorin apo i hedhin mbeturinat ilegale, apo kur ka deponi ilegale të raportohet nga secili qytetar në lagjen e vet apo ku do që ndodhet me tri klikime,” tha drejtori Vokshi.

Vokshi deklaroi se 23 inspektorë do të autorizohen nga Kryetarja e Gjakovës për t’iu përgjigjur raportimeve të qytetarëve.

“Qëllimi i aplikacionit do të lidhet me departamentet gjegjëse që hyjnë në institucione komunale, për shembull Inspektorati, Drejtoria e Shërbimeve Publike, policia në Komunën e Gjakovës dhe nga java tjetër do të jetë edhe autorizimi me vendim të kryetares së komunës për 23 inspektorët komunalë të cilët në bazë të Udhëzimit Administrativ 14/2015 për Ndëshkimin me Gjoba Mandatare, secili inspektorat do ta ketë të drejtën e gjobës për secilin që hedh mbeturina ilegale”, tha Vokshi.

Me këtë projekt Komuna e Gjakovës synon rritjen e bashkëpunimit me qytetarët.

Kosovarët për hedhje mbeturinash mund të dënohen me gjoba nga 5 deri në 100 euro.

Në shtator të vitit të kaluar KALLXO.com shkroi edhe për një projekt tjetër të UNDP-së në Gjakovë-atë të shtyllave që kryejnë shumë funksione dhe informojnë për disa gjëra gjakovarët.

http://kallxo.com/shtyllat-qe-tregojne-shume-gjera-gjakoves/