Gëzim i Tretë i Hilmi Haradinajt

Hilmi Haradinaj, babai i Ramush Haradinajt, tha për KALLXO.com se ka qenë i sigurt në një përfundim të tillë të këtij procesi që nisi katër muaj më parë kur Ramushi u ndalua nga autoritetet franceze në Aeroportin e Bazelit.

“Me sigurinë ma të madhe jo unë po krejt familja po edhe ky fshat e kjo vëllazëri e kemi përjetuar lirimin e Ramushit me gëzim. Shkuarja e tij nuk ju ka përshtatur kërkujt, po çka me ba, qashtu u dasht, po dashti Zoti u lirua edhe po vjen në Kosovë,” tha Hilmi Haradinaj.

Ky është gëzimi i tretë që plaku nga Gllogjani e përjeton për lirimin e birit të tij nga akuzat për krime lufte në gjykatat jashtë Kosovës. Dy herë më parë, në vitet 2009 dhe 2012, Ramush Haradinaj u lirua nga akuzat nga Tribunali i hagës.

“Prej lufte e knej i ranë do përjetime të rënda. Ai (Ramushi) njëherë u mor me Hagën, dy herë në Hagë doli i pafajshëm. Tash në Francë s’mundesh as me marr me mend çka, jo e tepërt po shumë e tepërt,” tha Hilmi Haradinaj për KALLXO.com

Ai tha së shteti i Serbisë nuk ka pasur drejtë pas gjykimit të Hagës të bëjë ndjekje ndaj djalit të tij, dhe shpreson se tashmë nuk do ketë mundësi që prapë t’i vihet pas për akuzat e saj.

Jakup Hamzaj, bashkëfshatar nga Gllogjani, tha për KALLXO.com së të gjithë kanë besuar në pafajësinë e Ramush Haradinajt dhe triumfin e tij para drejtësisë.

Ai tha se lajmi për lirimin e Ramushit ka bërë që shumë qytetarë nga të gjitha viset shqiptare të vijnë dhe t’i shprehin urimet në Kullën e Haradinajve në Gllogjan.

“Duke besu gjithmonë në pafajësinë e tij na kemi qenë optimistë se do vjen kjo ditë, edhe dha Zoti që drejtësia triumfoi. Drejtësia e tij (Ramushit) në shpirt e mundi i tij doli në dritë”, tha banori i Gllogjanit për KALLXO.com.