Getoar Selimi Kërkohet nga Policia

Themeluesi grupit “Babastars” dhe njëri nga reperët më të njohur shqiptar, Getoar Selimi, nuk po paraqitet për të dëshmuar në gjykimin ku palë e dëmtuar është njëri nga ish-anëtarët e grupit të tij, Ledri Vula.

Në këtë rast gjyqësor për lëndim të lehtë trupor akuzohen Krenar Çoçaj dhe Gazmend Mirena.

Gjyqtari i rastit, Beqir Kalludra, njoftoi se ka lëshuar urdhëresë për Policinë e Kosovës që të verifikojnë adresën e Getoar Selimit.

“Mungojnë dëshmitarët Getoar Selimi dhe Fidan Demolli, për të cilët Gjykata ka lëshuar urdhëresë për verifikimin e vendbanimit dhe sipas informatave të Stacionit Policor Jugu për dëshmitarin Getoar Selimi i njëjti rezulton se jeton në Shqipëri. Ne në vazhdimësi kemi bërë përpjekje të sigurojmë prezencën e tij, por nuk kemi arritur ta bëjmë”, tha gjyqtari Kalludra.

Për dëshmitarin tjetër, Fidan Demolli gjyqtari tha se gjendet jashtë vendit.

Gjyqtari Kalludra më tej tha se nëse nuk sigurohet prezenca e këtyre dy dëshmitarëve, deklaratat e tyre të dhëna në polici do të konsiderohen të lexuara.

Çoçaj bashkë me Gazmend Mirenën akuzohen se natën e 7 qershorit 2012, kishin sulmuar Ledri Vulën pasi ia kishin zënë rrugën me veturë dhe e kishin nxjerrë nga vetura në njërën nga rrugët kryesore të Prishtinës.

Dy ditë më parë dëshminë e tij para gjykatës e dha Ledri Vula.

Ai tregoi se natën e sulmit ishte ftuar nga Getoar Selimi në studion muzikore ndërsa në momentin e sulmit kishte qenë në veturën e tij.

http://kallxo.com/ledri-vula-krenar-cocaj-sulmoi-shkaku-dafina-zeqirit/