Tryeza e Odës Ekonomike | Foto: KALLXO.com

Gërxhaliu: Bizneset-Hapa më të Avancuar se Politika

Në tryezën e Odës Ekonomike të Kosovës për sfidat dhe mundësitë e Procesit të Berlinit, kryetari i saj Safet Gërxhaliu  tha se në Ballkan bizneset dhe ekonomia kanë bërë hapa më të mëdhenj se politika.

“Duhet të pranohet realiteti që bizneset dhe ekonomia  kanë bërë hapa shumë më të avancuar sesa politika. Unë e di që për një fjali të tillë ndoshta do të kem kritika në media, por po e shihni që rritja e ekonomive tregtare është në vlugun e vet, eliminimi i barrierave falë dialogut është minimal dhe e tëra kjo e bën dialogun dhe partneritetin të pazëvendësueshëm”, tha Gërxhaliu.

Procesi i Berlinit, i nisur nga kancelaria gjermane Angela Merkel ka për qëllim zhvillimin e bashkëpunimit rajonal përpara se shtetet e Ballkanit Perëëndimor të hyjnë në BE.

Gërxhaliu në tryezë tha se Procesi i Berlinit duhet të ketë përkrahje nga institucionet.

“Besoj që është koha kur proceset e tilla do duhen të kenë mbështetje institucionale, nuk duhet që fakti për proceset integruese të jetë vetëm dëshirë e popullit dhe e organizatave integruese të shoqërisë civile”, tha Gërxhaliu.

Ai deklaroi se Procesi i Berlinit për Kosovën ka rëndësi ekonomike, por edhe strategjike.

Berat Rukiqi koordinator në Odën Ekonomike, tha se kjo odë bashkë me atë të Shqipërisë u angazhuan për krijimin e një mekanizmi rajonal bashkëpunimi të odave.

“Ne si odë ekonomike kemi qenë iniciues të krijimit bashkë me Odën Ekonomike të Shqipërisë të Forumit Rajonal të Odave Ekonomike që qëllim primar e ka kyçjen e drejtpërdrejtë dhe sa më të thellë në komunitetin e biznesit brenda Procesit të Berlinit”, deklaroi Rukiqi.