Forumi Publiko-Privat | Foto: KALLXO.com

Gërxhaliu: 2016-ta Vit i Dialogut me Biznesin

Në këtë forum u fol për ngritjen e kapaciteteve dhe tejkalimin e sfidave të biznesit në Kosovë, ndërsa u prezantua edhe  raporti i reformave të ndërmarra në Doganë dhe efektet e tyre në biznes.

Në hapje të këtij forumi, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se ky vit mund të konsiderohet vit i dialogut me biznesin.

“Ky vit lirisht mund të cilësohet vit i dialogut me biznesin dhe se jemi të vetëdijshëm që sfidat janë të shumta, por ne jemi të hapur t’i tejkalojmë ato. Mbështetësi i kësaj padyshim është edhe Dogana e Kosovës,” tha Gërxhaliu.

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, tha se bashkëpunimi mes dy odave tash e disa vite është shumë i mirë.

“Puna e deritashme e përbashkët ka bërë që t’i shohim rezultatet në terren. Ende ekzistojnë çështje që duhet t’i rregullojmë, e kjo bëhet përmes dialogut. Ka çështje që ndërlidhen me klasifikimin e mallrave dhe pres që t’i identifikojmë këto çështje dhe t’i ngrisim ato. Duke e bërë një krahasim me vitin 2009, deri më tash në vitin 2016 janë bërë shumë përparime në këto çështje,” tha  Zeka.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se rezultatet e punës së ministrisë drejton tashmë janë parë dhe se janë të dukshme.

“Kemi pasur takime të shumta për çështje nga më të ndryshmet. Një agjendë të politikave dhe reformave fiskale e kemi bërë bashkë me qeverinë. Janë edhe disa çështje që do të ndërhyjnë në këto ligje si udhëzimi për pushimet tatimore,” shpjegoi Hoti.

Ai gjithashtu falënderoi doganën për punën.

“E përgëzoj doganën për punën që ka bërë dhe ka shumë më pak ankesa tani. Të hyrat buxhetore janë rritur dukshëm pa iu rënë në qafë bizneseve, por vetëm duke komunikuar,” tha ministri Hoti.

Në fund, Lulzim Rafuna, drejtor i Doganës së Kosovës, në këtë forum prezantoi rezultatet e reformave të këtij institucioni ndër vite.

“Dogana e Kosovës në 15 vjet ekzistencë për herë të parë në vitin e kaluar ka mbledhur mbi 950 milionë euro. Raporti nga Komisioni Evropian ka vlerësuar lart performancës e doganës, ku theksohet se reformat e suksesshme në administratën doganore kanë ndikuar në vlerësimin më të mirë të mallrave dhe luftimin e kontrabandës, ku si rezultat sollën më shumë të hyra krahasuar në muajt më parë,” tha Rafuna.

Sipas një raporti të lëshuar nga Dogana e Kosovës, për periudhën janar-prill 2016 janë mbledhur 53.7 milionë euro më shumë, ose të hyrat janë shtuar për 21.57 për qind, në raport me periudhën e njëjtë të 2015-ës.

http://kallxo.com/dogana-ne-2016-en-53-7-milione-euro-shume

Gjithashtu, ky institucion për këtë periudhë ka arritur të hapë 44 raste hetuese, prej tyre 7 kallëzime penale si dhe të parandalojë 523 tentime për kontrabandë dhe evazion fiskal.