Gërmohet në Veri, nuk Ka Varrezë Masive

Në Mitrovicën Veriore gjatë ditës së sotme u gërmua pasi dyshohej se në lokacionin tek xhamia e rrënuar pranë lumit Ibër ekzistonte një varrezë masive me të vrarë nga lufta e fundit.

Arsim Gërxhaliu, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore tha se gjatë gërmimeve nuk është gjetur asgjë.

“Sot jemi duke kontrolluar terrenin e përfolur që moti- do të thotë xhaminë mbi urën e lumit Ibër. Kemi kryer kanalin e parë testues dhe jemi dy metra nën nivelin e xhamisë. Gjer më tani nuk ka dalë asgjë dhe do të bëjmë një kanal tjetër testues të shohim në anën e djathtë se mos po del ndonjë gjë”, tha Gërxhaliu.

Prenk Gjetaj, kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur tha se prej vitit 2010 ekziston vendim gjykate për të gërmuar në këtë vend.

“Sot jemi në vendin ku supozohet se është një varreze masive, në vendin e quajtur xhamia e ibirit të bëhet verifikimi dhe asgjë më tepër nuk mund të themi derisa të bëhet ky verifikim. Normalisht se për këtë projekt ose lokacion është punuar për shumë kohë dhe me arsye të paqëndrueshme është zhagitur deri më tani, sepse kemi urdhëresë gjyqësore prej vitit 2010”, tha Gjetaj.

E pranishme gjatë gërmimeve ishte edhe Suzana Matejiq, mjekja ligjore e Komisionit Qeveritar të Serbisë për Persona të Zhdukur. Matejiq deklaroi se kërkimi i të zhdukurve është proces i vështirë.

“Arsyeja e ardhjes sime këtu është kërkimi për të pagjeturit. Kërkimi i të pagjeturve është një proces shumë i vështirë dhe i mundimshëm dhe të gjithë ata që merren me këtë çështje e kërkojnë të vërtetën kudo që ajo mund të jetë- do të thotë kërkimi i çdo lokaliteti për të cilin ka informata që mund ta gjejmë ndonjërin nga të zhdukurit”, tha Matejiq.

Bajram Qerkini, përfaqësuesi i familjarëve të personave të pagjetur nuk ishte shumë optimist se gërmimet do të përfundojnë.

“Është mirë çdo vend kur dyshohet të gërmohet dhe të hjeket një brengë edhe ky lajm nuk është i tashtit sepse që tri herë që fillohet e ndërprehet. Unë besoj se kësaj radhe e kanë më seriozisht dhe do të kryhet sot, edhe pse është nata e pavarësisë dhe kemi një tjetër gëzim për ne familjarët është mëse interesante që kjo të kryhet sot”, tha Qerkini.

Qerkini deklaroi se ka dëshmitarë që thonë se në këtë lokacion ka varreza masive.

“Dyshimet janë, kemi dëshmitarë okularë këtu besoj se këtu kanë hyrë dy pizgauerë me njerëz dhe nuk I kanë parë më të dalin”, tha ai.

Te vendi ku u gërmua për varrezë masive ekzistonte Xhamia e Ibrit, e vitit  1878 që u rrënua gjatë luftës.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri