Gazmend Muhaxheri Flet Rreth Sfidave për Ta Bërë Pejën Vend Turistik

Gazmend Muhaxheri dhe këshilltarët komunalë të Pejës në sallën e asamblesë janë betuar në nisje të mandatit të ri katërvjeçar.

“Unë Gazmend Muhaxheri betohem se do t’i kryej detyra dhe do t’i ushtroj kompetencat si kryetar i komunës së Pejës, me nder, besnikëri, në mënyrë të paanshme, me ndërgjegje dhe pajtim me ligjin. Në mënyrë që të siguroj kushte për një jetë të qetë për të gjithë qytetarët e komunës së Pejës”, u betua kryetari Muhaxheri.

Betimin e kryen sot edhe asamblistët.

“Betohem se do t’i kryej me nder, me besnikëri, pa anime e me ndërgjegje dhe sipas ligjit detyrat dhe do t’i ushtroj autorizimet e mia si anëtar i Kuvendit Komunal të Pejës”, u betuan këshilltarët komunalë.

Seancën inauguruese e udhëhoqi këshilltari me i vjetër komunal i legjislacionit të ardhshëm katërvjeçar, Beqir Kajtazi.

Gazmend Muhaxheri pas betimit foli për sfidat që e presin në rrugën për ta bërë Pejën destinacion turistik.

Ai tha se përveç zhvillimit të turizmit, plani i tij qeverisës parasheh zhvillimin e bujqësisë dhe infrastrukturës në ketë komunë.

Gazmend Muhaxheri, nga LDK-ja, fitoi pa balotazh kundër kandidatëve tjerë të subjekteve politike duke marrë mbi 50 % të votave në zgjedhjet e 22 tetorit.

Në asamblenë e Pejës LDK-ja do t’i ketë 15 këshilltarë, AAK-ja 10, PDK-ja 5, LVV-ja 3 dhe Alternativa e Nisma nga 1.