Gazmend Muhaxheri Ende i Pavendosur për Koalicion në Pejë

Kryetari i rizgjedhur i Komunës se Pejës, Gazmend Muhaxheri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës mandatin e dytë qeverisë po vazhdon ta qeverisë pa partner të koalicionit, përkundër bisedimeve të vazhdueshme me subjekte tjera politike për të arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.

Kanë kaluar disa muaj kur Gazmend Muhaxheri nga LDK-ja u rizgjodh për herën e dytë kryetar i komunës së Pejës, ndërkaq ende po zhvillon bisedime për arritjen me partitë tjera për partner bashkëqeverisje.

Shefi i Kabinetit të Kryetarit të Pejës, Durim Sheremeti, konfirmoi për KALLXO.com se bisedimet për të gjetur partnerë në qeverisjen lokale janë duke vazhduar.

“Akoma kryetari është i hapur për bashkëpunim dhe bashkëbisedime me subjektet tjera politike për ndërtimin e një koalicioni të qëndrueshëm në Komunën e Pejës, por s’kemi marrëveshje konkrete”, tha Durim Sheremeti për KALLXO.com.

Në anën tjetër, shefi i Grupit të Asamblistëve të PDK-së në Pejë, Muhamet Haliti, tha për KALLXO.com se janë duke zhvilluar bisedime me LDK-në që edhe ketë mandat të bëjnë koalicion për bashkëqeverisje.

“Janë duke u zhvilluar bisedime për koalicion me LDK-në, por marrëveshje nuk ka. Arritja e marrëveshjes varet nga LDK-ja, sepse ne kemi bërë ofertën  tonë”, tha Haliti.

Bashkë me PDK-në në koalicion eventual Gazmend Muhaxheri i LDK-së do ta bënte një shumicë të mjaftueshme për qeverisje lokale.

Në zgjedhjet e tetorit 2017 për asambletë komunale, LDK mori 15 ulëse ndërsa PDK 5 në asamblenë komunale 35 anëtarëshe.

Shefi i grupit të këshilltarëve komunal të PDK-së në asamblenë e Pejës tha se ndër kriteret e ofertës së PDK-së është që marrëveshja të jetë e shkruar.

Kurse subjekti më i madh opozitar në Asamblenë e Pejës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka mohuar të ketë pasur bisedime me LDK-në e Gazmend Muhaxherit për koalicion.

Asamblisti i këtij subjekti, Nazmi Krasniqi, tha për KALLXO.com se AAK-ja do vazhdojë të mbetet opozitë edhe këtë mandat.

“As nuk kemi biseduar si AAK deri me tani, po edhe të ketë bisedime nuk do ketë marrëveshje për bashkëqeverisje”, tha Krasniqi për KALLXO.com.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Pejës, Bashkim Lajçi, tha se me herët ka pasur takim me Kryetarin e Pejës për bashkëqeverisje mirëpo, sipas tij, nuk ka pasur rezultate bisedimet.

“Më herët para konstituimit të asamblesë komunale kemi pasur një takim me kryetarin, po nuk ka pasë marrëveshje. Pas kësaj kohe nuk ka pasur asnjë takim për koalicion”, u shpreh Lajçi.

Ndërkaq, Shefi i Kabinetit të Kryetarit të komunës së Pejës tha se Muhaxheri gjatë këtij muaji do vendosë nëse do të hyjë në koalicion me ndonjë parti.

“Deri në fund të këtij muaji kryetari do vendosë a do bëjë koalicion me ndonjë parti apo të vazhdojë vetëm. Njëri prej faktorëve për arritjen e marrëveshjes është edhe qëndrimet e partive politike në nivelin qendror”, tha Sheremeti.

Ai bëri të ditur se deri me tani janë emëruar tre drejtorë të drejtorive komunale nga kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Drejtor i Drejtorisë se Arsimit edhe ketë mandat do jetë Besim Avdimetaj, njëjtë sikurse edhe Jeton Abazaj në Drejtorinë  e Financave dhe Fatmir Asllanaj drejtor i Administratës.