Gazetarët Shqiptarë e Serbë Identifikojnë Mundësitë dhe Pengesat për Bashkëpunim

Në një tryezë të organizuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese në Prishtinë, gazetarët thanë se duhet gjetur mënyra bashkëpunimi

Tryeza është pjesë e një projekti të mbështetur nga Zyra e Përfaqësueses Speciale të Bashkimit Europian në Kosovë dhe synon forcimin e dialogut ndëretnik dhe bashkëpunimin ndërmjet gazetarëve në Kosovë.

Ngjarja erdhi pas dy tryezave që janë mbajtur në Mitrovicën e Veriut dhe Gjilan muajin e kaluar si dhe një vizite studimore në Prizren e Graçanicë gjatë të cilës grupi i gazetarëve pjesëmarrës ka pasur mundësinë që t’i identifikojë mundësitë e thellimit të bashkëpunimit.

Jeta Xharra, drejtore e BIRN-it në Kosovë tha se barriera gjuhësore po e bën më të vështirë komunikimin mes gazetarëve të komuniteteve, ndërsa edhe transportin e përfshiu në mesin e pengesave.

“Shumë pak ka transport mes veriut edhe Prishtinës, shumë shtrenjtë iu kushton me ardhë me pi kafe ma shpesh edhe me i taku burimet e tyre edhe mungesa e kurseve të gjuhës të dyja anëve diçka që Komisioni Europian në mënyrë praktike do të mundte të kontribuojë”, tha Xharra.

Libor Chlad, Zëvendës Shef i Seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e Përfaqësueses Speciale të BE-së në Kosovë, tha se gazetarët kanë shumë fuqi në përçimin e realitetit dhe se roli i tyre është i madh.

“Raportimi i juaj duhet të përçojë mesazhe të drejta por nganjëherë gjërat mund të shkojnë në drejtim të gabuar. Prandaj është e rëndësishme që të kemi diskutim të hapur”, tha Chlad.

Xhymret Veliu, kryeredaktor në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) tha se në RTK ekziston një realitet i bashkëpunimit të gazetarëve ndërmjet komuniteteve të ndryshme.

“Problemet në Kosovë janë afërsisht të njëjta pavarësisht cilit komunitet i takojmë. Ne merremi me probleme njerëzore dhe gazetarët brenda RTK-së nuk merren me probleme vetëm të një komuniteti të caktuar”, nënvizoi Veliu.

http://kallxo.com/gazetaret-shqiptare-e-serbe-perpiqen-ti-kalojne-barrierat-etnike-e-politike/

Sanja Sovrlic, nga RTV MIR në Leposaviq, në këtë tryezë të rrumbullakët tha se ndër vite serbët dhe shqiptarët jetojnë njëri pranë tjetrit por jo njëri me tjetrin. Ajo foli edhe për situatën e krijuar në veri gjatë kohës së ekzistimit të murit.

“Duhet falënderuar mediat që situata në veri nuk eskaloi gjatë kohës së murit. Kjo tregon që mediat janë vetëdijesuar. Kur ka tensione, gazetarët duhet të japin llogari për mënyrën se si i përçojnë mendimet e tyre personale dhe të kenë kujdes të mos e provokojnë anën tjetër”, shtoi Sovrlic.

Gazmend Syla, drejtor i informacionit në TV Klan Kosova, tërhoqi paralele mes raportimit për trazirat e marsit në vitin 2004 dhe ndërtimit të murit dhe trenit provokativ të muajve të kaluar.

http://kallxo.com/gazetaret-shqiptare-e-serbe-diskutojne-per-bashkepunimin/

“Mediat shqiptare dhe serbe në Kosovë nuk i kanë fryrë temës së murit për të nxitur trazira. Ka mësime të nxjerra nga ajo që ka ndodhur më parë, sidomos në vitin 2004. Tani nuk jemi të ngarkuar me ato që kanë ndodhur më parë në Kosovë. Por mediat në mediat në Serbi ka pasur gjuhë të urrejtjes”, tha Syla.

Maja Ficoviq, redaktore në Radio Kosovska Mitrovica tha se gazetarët nuk duhet të ndahen as me klasë, as me etnicitet. Misioni i tyre është që ta raportojmë të vërtetën në atë që e shohin.

Kurse Shkëlqim Hysenaj, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) foli për pjesëmarrjen e gazetarëve serbë të Kosovës në AGK për disa nga të cilët tha se ishin pjesë të kuvendit të fundit dhe se kanë marrë pjesë në zgjedhjen e bordit të AGK-së.

Sipas Imer Mushkolajt, drejtor i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, mediat në Kosovë duket se kanë mësuar nga gabimet e bëra në të kaluarën.

“Në vitin 2004 ka pasur raportime tifozllëku. Por nëse themi se çdo gjë është bardh, e gënjejmë veten sepse nuk është. Gjuha e urrejtjes ekziston në komentet e lexuesve nëpër portale”, tha Mushkolaj.

Pjesë e këtij diskutimi ishin rreth 30 gazetarë nga gazetat, televizionet dhe mediat online në tërë Kosovën.