Foto-ilustrim nga një protestë e gazetarëve në Prishtinë.

Gazetarët Me Prokuror të Veçantë që i Heton Kërcënimet

Në vendimin e Lumezit thuhet se Besim Kelmendi caktohet koordinator për rastet e kanosjeve të gazetarëve të Kosovës.

“Obligohen Kryeprokurorët e prokurorive themelore që deri më datë 17.03.2017 të caktojnë nga një prokuror që do të merret me rastet e raportuara kur gazetarët paraqiten si të dëmtuar dhe të informojnë për këtë koordinatorin”, thuhet në vendim.

Po ashtu në vendimin e kryeprokurorit, thuhet se rastet e tilla duhet të merren me prioritet sapo që një prokuror ta marrë rastin e po ashtu duhet të njoftoj prokurorin e ngarkuar si koordinator.

Vendimi i Kryeprokurorit Lumezi është ëprshëndetur menjëherë nga shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu.

Sipas OSBE-së, ky vendim ka ardhur pas takimi të fundit i cili ishte në lidhje me sigurinë e gazetarëve të Kosovës.

“Vendimi është prezantuar dje në një takim në mes të Kryeprokurorit dhe Asociacionit  të Gazetarëve të Kosovës”, thuhet më tutje në njoftim.

Misioni i OSBE-së përgëzon Zyrën e Kryeprokurorit dhe Asociacionin e Gazetarëve për këtë vendim të rëndësishëm i cili “do ta përmirësojë në mënyrë të konsiderueshme mbrojtjen e gazetarëve në Kosovë”.

Emisioni “Jeta në Kosovë”, dy javë me parë transmetoi emisionin për sigurinë e gazetarëve në Kosovë.