Redaktori i KRIK-ut, Stevan Dojçinoviq | Foto: Facebook

Gazetarët Kundër “Linçimit” të Tabloideve Serbe

Rreth 40 gazetarë nga një organizatë jo formale “Rrjeti i Gazetarëve” kanë bërë thirrje te kolegët e tyre në ish-Jugosllavinë që të tregojnë solidaritet me gazetarët serb që po sulmohen nga mediet pro-qeveri të Serbisë.

Thirrja për veprim vjen pasi që tabloidi Informer me bazë në Beograd ka lansuar një seri sulmesh ndaj Stevan Dojcinoviq, redaktori i KRIK, një portal i gazetarisë hulumtuese.

Disa gazetarë kanë krijuar një hashtag në Tëitter për mbështetje për KRIK – #podrziKRIK (mbështetni KRIK) – duke thirrur për bojkotim të Informer.

Dusan Masic, krijuesi i aksionit të mbështetjes në Twitter, i tha BIRN që sulmet ndaj KRIK dhe Dojcinovic janë mënyrë për të disiplinuar gazetarët që nuk mbështesin partinë në pushtet të Serbisë.

“Qëllimi është jo vetëm të shkatërrojnë besueshmërinë e KRIK por edhe të kriminalizojnë Dojcinovic si kryetarin e kësaj organizate. Ky është një mesazh i qartë për gazetarët që nuk duan të respektojnë rregullat e pashkruara të Partisë Progresive Serbe,” tha Masic.

“Idea e bojkotit është e thjeshtë. Është një apel që njerëzit të mos japin deklarata për Informer dhe një ftesë për njerëzit që të mos e blejnë këtë të ashtuquajtur ‘gazetë’,” tha Masic.

Informer të enjten e kaluar ka akuzuar Dojcinovic që po planifikon të publikojë një artikull fals për Kryeministrin Aleksandar Vucic, duke aluduar që ai ka fshehur pronësinë e aseteve me vlerë miliona euro.

Gazeta thotë që KRIK ka planifikuar të publikojë një artikull ku akuzon Vuciq që ka fshehur pronësinë e disa aseteve të mëdha në Beograd përmes anëtarëve të familjes së tij.

Artikulli përfshin një fotografi të paqartë të gazetarit kryesor të KRIK dhe detaje të një raporti hulumtues ende të papublikuar.

Informer e vendosi Dojcinovicin në faqe të parë me titullin “Mafia godet familjen e Vuciq” dhe nëntitullin – “Ekskluzive: Si mashtruesit e medieve dhe politikave po planifikojnë të shkatërrojnë shtetin”.

Seria e artikujve vazhdoi të premten me një artikull në faqe të parë të quajtur “Spiuni francez sadomazokist”.

Pasi që disa organizata gazetarie serbe kritikuan Informer për joprofesionalizëm dhe për krijimin e një atmosfere linçuese, Informer vazhdoi të shtunën me një artikull në faqe të parë të quajtur “Fashistët: BE po kërkon të ndalojë Informer”.

Rrjeti i Gazetarëve ka akuzuar medien pro-qeveri që ka shkelur kodin e etikës dhe që ka shënjestëruar figura publike “të papërshtatshme”.

“Kjo jo vetëm që kërcënon sigurinë e individëve por gjithashtu promovon dhunë dhe urrejtje si e vetmja mënyrë e komunikimit… Këto medie janë vetëm krahu i qeverisë, të udhëhequr nga Kryeministri Vuciq, i cili asnjëherë nuk ka provuar të distancojë vetën nga rënia e profesionit dhe humanitetit në mediet nën kontrollin e tij,” tha Rrjeti i Gazetarëve të dielën.

Sulmet nga Informer ndaj KRIK janë bërë rutinë që kur ekipi hulumtues filloi punën në prill 2015.

Në nëntor 2015, ata publikuan një seri artikujsh duke akuzuar KRIK, Qendrën për Gazetari Hulumtuese (CINS) dhe BIRN që kanë publikuar “gënjeshtra për të destabilizuar vendin”.

KRIK beson që këto sulme janë lidhur me publikimin e një hulumtimi të tyre për pronat e kryetarit të Beogradit, Sinisa Mali dhe për rolin e tij në dhënien e pronës shoqërore te biznesi në pronësi të familjes së tij.

Informer është quajtur zëri i Kryeministrit Vuciq për shkak të sulmeve të rregullta dhe të ashpra ndaj kritikëve dhe kundërshtarëve të Kryeministrit.

Redaktori Vuciceviq ka programin e tij televiziv në Televizionin pro-qeveri PINK TV që gjithashtu ka pasur Vuciqin si mysafir në shumë edicione.

Shoqata e Pavarur e Gazetarëve në Serbi, NUNS, të enjten e kaluar ka dënuar çka ata quajnë një “fushatë linçuese e kryer nga Informer ndaj portalit KRIK.rc” dhe tha që akuzat në artikull e kërcënojnë sigurinë e Dojcinovic.

NUNS nxiti Ministrinë e Brendshme të hetojë dhe informojë publikun nëse informacionet në këtë apo në artikuj tjerë të Informer vijnë nga autoritetet shtetërore.