Konferenca për mosndëshkimin e sulmuesve të gazetarëve - Foto: KALLXO.com

Gazetarët Kërkojnë Ndëshkimin e Kërcënuesve dhe Sulmuesve

Sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve në Kosovë janë alarmuese.

Kështu është thënë sot në një diskutim të hapur, të cilin e organizoi OSBE-së në “Ditën ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve”.

Vetëm gjatë këtij viti të dhënat e Policisë së Kosovë tregojnë për 23 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, AGK, Shkëlqim Hysenaj, tha se mosndëshkueshmëria e kërcënuesve dhe atyre që i sulmojnë gazetarët është një motivim për kryerësit e këtyre veprave dhe një dekurajim për gazetarët që të vazhdojnë me punën e tyre.

“Kemi mbi 20 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve. Kjo është alarmuese dhe kur gjithë kësaj ia shtojmë edhe faktin që kryerësit e këtyre veprave penale nuk gjinden, apo marrin dënime qesharake, kjo sikur është një stimulim për ata që t`i kërcënojnë dhe sulmojnë gazetarët”, ka thënë Hysenaj.

Kurse, Christopher Teutsch, drejtor i Departamentit për Demokratizim në OSBE, gjatë diskutimit me gazetarë potencoi se është shqetësuese që sulmuesit e gazetarëve nuk e marrin dënimin e merituar.

“Më shqetësuese është se disa prej këtyre kryerësve vazhdojnë të mos ndëshkohen dhe shumë raste të mbeten të pazgjidhura. Nuk do të qëndrojmë duarkryq derisa gazetarët janë të kërcënuar”, ka thënë Teutsch.

Ndërsa, prokurori i shtetit Besim Kelmendi i ka inkurajuar gazetarët që të paraqesin rastet e sulmeve dhe kërcënimeve dhe të kenë besim në organet e drejtësisë.

“Jam këtu që t’ju tregoj se këtë vit ka filluar të ndryshojë qasja e punës se prokurorëve me rastet ndaj gazetarëve. Ka një numër shumë të madh të gazetarëve që janë kërcënuar e vrarë deri më sot. Kam kërkuar të bëhet një listë e punës së prokurorëve dhe kam parë që prokurorët kanë bërë punë dhe sot kemi në secilën prokurori nga një prokuror i cili merret direkt më rastet e gazetarëve”, u shpreh Kelmendi.

Baki Kelani nga Policia e Kosovës ka bërë të ditur se deri në tetor të këtij viti janë evidentuar 23 raste të kanosjeve që janë bërë ndaj mediave.

“Jemi angazhuar si institucion, por jam angazhuar edhe personalisht që të ofrojmë siguri për gazetarët sepse e kemi obligim ligjor. Vetëm deri në gusht, 21 raste janë raportuar në Kosovë, deri në muaji, tetor ky numër ka shkuar deri në 23 raste që janë evidentuar në Polici për kanosje ndaj gazetarëve”, ka thënë Kelani.

Vehbi Kajtazi, kryeredaktor i portalit “Insajderi”, tregoi se siguria e gazetarëve është tejet e cenueshme, pasi sipas tij në pikë të ditës sulmohen dhe atë në prani të qindra njerëzve.

“Unë derisa nuk jam sulmuar fizikisht nuk i kam kushtuar shumë rëndësi kërcënimeve. Por, pas rastit të fundit ku unë jam sulmuar fizikisht në pikë të ditës në prani të qindra njerëzve, kjo tregon se siguria jonë është lehtë e cenueshme, kjo tregon se kryerësit e sulmeve nuk ia kanë frikën drejtësisë, pasi në të kaluarën kanë parë që Gjykatat nuk po i ndëshkojnë, apo dënimet qesharake, janë 200, apo 300 euro”, ka thënë Kajtazi.

Ndryshe, të dhënat e Policisë tregojnë se gjatë periudhës janar-15 tetor të këtij viti janë raportuar 23 raste të ndryshme prej gazetarëve.

Rastet sipas Policisë janë të ndryshme, duke përfshirë ngacmimin, ndërhyrjet në sistemet kompjuterike, lëndimet trupore, kanosjet  e raste të tjera.

Nga muaji janar deri më mesin e muajit tetor të këtij viti, në Polici janë të raportuara 23 raste: ngacmim 1 rast, ndërhyrje në sistemet kompjuterike 3 raste, lëndim i lehtë trupor 5 raste, kanosje 13 raste dhe legalizim i përmbajtjes së rreme 1 rast, tregojnë të dhënat e Policisë.