Publikimi i raportit të BIRN për raportimin e mediave në çështje të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Foto: Kallxo.com

Gazetarë e Njerëz të Ligjit Debatojnë Raportimin për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin

Përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe rendit në Kosovë si dhe njerëz të mediave kanë diskutuar sot rreth raportit më të ri të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) për raportimin e mediave në raste të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Raporti, i cili përveç në Kosovë, është bërë edhe në Bosnje dhe Serbi, gjen se zbulimi i korrupsionit mbetet sfidë për media në Ballkan janë subjekt i një sërë presionesh dhe sfidash të ndryshme.

Në raport thuhet se krimi i organizuar dhe korrupsioni janë sfidat kryesore me të cilat përballen shoqëritë e Ballkanit Perëndimor, në të cilat korrupsioni në veçanti përbën pakënaqësinë kryesore për shtetasit dhe votuesit.

Raporti i implementuar së bashku me zyrat e BIRN në Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi është pjesë e projektit “Ushtrimi i Lirisë së Shprehjes dhe Transparencës së Institucioneve të Shtetit”.

Nëpërmjet këtij raporti të mbështetur nga Zyra Federale Gjermane për Punë të Jashtme, BIRN Kosova synon ta kultivojë lirinë e shprehjes dhe transparencën nga institucionet relevante në Kosovë dhe të nxitë debate mes gazetarëve, shoqërisë civile dhe zyrtarëve publikë të institucioneve të gjyqësorit mbi eliminimin e barrierave për raportimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, në tryezën ku u prezantua raporti, tha se kjo gjykatë është duke punuar në publikimin e aktgjykimeve.

“Deri tani janë publikuar 2 mijë aktgjykime por besoj që ky numër do të rritet ndjeshëm sepse është rritur edhe kapaciteti”, tha Peci duke folur për zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Zyrtare.

Peci tha se gjykata që ai e drejton ka arritur sukses sado që u ankua në problemet financiare

“Problem tjetër ndoshta është se prokuroria ka qenë më e rezervuar sepse sigurisht që e dimë se faza e hetimit është më e ndjeshme por shumë informata që janë dhënë nga mediat kanë dhanë informata të vyeshme për zbulimin e veprave penale”, shtoi ai.

Prokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, tha se rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit “nuk janë të lehta për t’u hetuar”, por vështirësitë më të mëdha ai i përmendi te rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.

“Ne e hetojmë që në start në komunikim me neve se a është gazetari profesional i pavarur apo jo dhe njëjtë na vlerësojnë edhe ata neve prandaj them aq sa duhet të jetë prokurori i paanshëm aq duhet të jenë gazetarët”, tha Kelmendi.

“Ne kemi prokurorë që janë ma të hapur dhe disa që hezitojnë me komuniku me media dhe unë them se prokurorët nuk duhet të hezitojnë që brenda suazave ligjore të komunikojnë me media”, shtoi ai.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se ky institucion po bën përpjekje që t’i adresojë kërkesat e mediave për informacione, por edhe nevojën e gazetarëve për më shumë siguri në punën e tyre.

“Kemi të evidentuar në polici këtë vit një numër më të lartë rreth 28 raste të sulmeve apo kanosjeve ndaj gazetarëve dhe ne vetë zi zyrtarë të mediave edhe pse nuk është direkt në domenin tonë të punës ne bashkë kemi shkuar me gazetarë në stacion të policisë”, tha ai duke folur për mënyrën e trajtimit të sulmeve ndaj gazetarëve nga ana e Policisë.

“Shumica e këtyre rasteve nuk janë adresuar në prokurori ndërsa 7 ose 8 janë në hetime por bashkëpunimi polici- prokurori tregon që gazetarët kanë kriju besim në institucione dhe çfarëdo kanosje që ata kanë tani ato po trajtohen”, shtoi Kelani.

Ndërsa prokurorja e EULEX-it, Ewa Korpi, ka folur për praninë e fenomenit të lajmeve të rrejshme në raportimet për krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Në rastin e hetimeve gjatë këtyre zgjedhjeve lokale, kam parë disa raste kur është raportuar se një hetim konkret ka përfunduar e unë e kisha në tavolinë rastin duke e hetuar dhe me siguri se kjo vjen nga presioni politik dhe më duhet të them se në vendin se nga vij unë, në Suedi, nuk kam parë asnjë rast të tillë”, tha prokurorja Korpi.

Raportet mund të shkarkohen në këtë link.