GAP Prezanton “Komunat Punëtore” dhe “Komunat Dembele”

Hani i Elezit, Deçani e Prishtina rezultojnë komunat me përqindjen më të lartë të premtimeve të përmbushura në vitin e parë të punës së kryetarëve të komunave të zgjedhur në zgjedhjet lokale të vitit 2013.

Por nga ana tjetër, Juniku, Prizreni e Suhareka rezultojnë të jenë performuesit më të dobët brenda kësaj periudhë.

Këto janë konkluzionet e nxjerra nga një studim i Institutit për Studime të Avancuara (GAP) për qeverisjet komunale në Kosovë në vitin e parë të punës për këtë mandat.

“Ndër komunat që më së shumti kanë përmbushur premtimet në baze të kalkulimit të bërë kryesojnë Hani i Elezit me 33%, Deçani me 31% dhe  Prishtina me 30%, kurse si performues me të dobët të realizimit të premtimeve të tyre janë Juniku me 4%, Prizreni 6% dhe Suhareka me 8%”, tha Bekim Salihu nga GAP gjatë prezantimit të platformës për efikasitetin e qeverisjes komunale.

Ai tha se kryetarët e tanishëm gjatë fushatës zgjedhore kanë bërë rreth 552 premtime në infrastrukturë, politika publike, arsim, bujqësi e shërbime publike etj, ndërsa në vitin e parë të punës janë realizuar vetëm 105 prej tyre, apo 19 % të premtimeve të bëra.

Në prezantimin e kësaj platforme drejtori i GAP, Agron Demi, tha se kjo paraqet një formë të identifikimit për çdo kryetar të komunave, ku janë krijuar “letërnjoftime” të tilla për 38 prej Kryetarëve sa ka e gjithë Kosova, me fotografit të prezantuara me vizatime satirike, ku ka pasur edhe ide të prezantimit të kryetarëve “mbrapa grilave”.

Instituti GAP ka nxjerrë të gjitha premtimet e deklaruar nga kryetarët e tanishëm kur ata i kanë prezantuar kandidaturat e tyre për kryetarë gjatë fushatës zgjedhore.

“Sistemi ynë ka kalkuluar atë se sa këta të fundit kanë arritur të realizojnë këto premtime për një vit të mandatit të tyre, ku për vitin e parë vetëm 19 % e tyre janë realizuar”, tha Demi.

Ai u shpreh gjithashtu se kjo platformë nuk ka pasur qasje në 7 komuna me shumicë serbe si dhe në komunën e Mamushës, ku kryetari i saj nuk është paraqitur fare në asnjë tubim publik për të prezantuar premtimet e tij.

Fatos Ismajli