Foto: Facebook

GAP: Pak Pozita Drejtuese për Gratë

Instituti GAP gjatë prezantimit të analizës për përfaqësimin e grave në borde të ndërmarrjeve publike dhe agjenci të pavarura tregoi se gratë janë shumë pak të përfaqësuara në to.

Sipas Jeton Mehmetit nga Instituti GAP, nga analiza që u është bërë bordeve të 31 ndërmarrjeve, ka dalë që vetëm 24 gra janë anëtare të tyre.

Këto borde të 31 ndërmarrjeve kanë 159 anëtarë, ndërsa në to gratë përfaqësohen me vetëm 15 për qind.

Mehmeti më tutje deklaroi se pavarësisht situatës së përmirësuar të arsimimit të grave në Kosovë ka një numër shumë të ulët të grave të punësuara, ndërsa shumica e pozitave drejtuese në ndërmarrjet publike mbahen nga burrat.

“Vetë përbërja e paneleve intervistuese tregon se rezultati nuk ka mundur të jetë ndryshe. Në 31 ndërmarrje publike që kemi analizuar nga 159 anëtarë vetëm 24 prej tyre janë gra. Vetëm 5 borde kryesohen nga gratë. Ne kemi identifikuar 5 mijë pozita në ndërmarrje publike ku 85 për qind nga pozitat menaxheriale janë burra”, tha Mehmeti.

Ai tregoi se vetëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Paneli për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Kushtetuese kryesohen nga gratë.

Mehmeti bëri të ditur se me këtë përbërje të bordeve të ndërmarrjeve publike, Kosova është shumë larg standardeve të BE-së.

“Jemi shumë larg nga ajo që aplikohet në Bashkimin Evropian dhe nga ajo që kërkon BE e që është një kuotë prej 40 për qind për pjesëmarrjen gjinore në ndërmarrjet publike”, tha Mehmeti.

Në tryezën e GAP-it mori pjesë edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka.

Lluka u zotua që do të arrihet kjo kuotë, duke premtuar që në ministrinë që drejton numri i grave do ta tejkalojë 50 përqindëshin.

Do të sigurohem që kjo të jetë në ligjin e ri. Në Ministrinë që e drejtoj unë, 60 për qind do të jenë gra”, tha Lluka.

Edhe në mars të këtij viti, Grupi i Grave Deputete konstatoi pabarazi gjinore në pozitat drejtuese.