Foto: Facebook

GAP: Niveli Qendror po u Përzihet Komunave

Instituti GAP paraqiti raportin hulumtues në lidhje me zbatimin nga komunat të kompetencave të tyre.

Bekim Salihu, hulumtues në këtë institut, duke iu referuar hulumtimit tregoi se niveli qendror është duke u përzier në kompetencat e nivelit lokal.

Salihu përmendi raste konkrete të kësaj përzierje në kompetenca, duke konstatuar se një gjë e tillë po i varfëron dhe po ua pamundëson komunave të jenë efikase.

Sipas Salihut, komunat nuk kanë kompetenca për menaxhim mbeturinash, ndaj ndërmarrjeve që realizojnë furnizimin me ujë dhe në lidhje me matjene cilësisë së ajrit.

Salihu mori edhe shembuj konkretë në të cilët niveli qendror po vështirëson zbatimin e kompetencave nga komunat. Deklaroi se Ministria e Drejtësisë ka nxjerrë një vendim me të cilin ka vendosur që avokatët publikë të komunave të delegohen nga niveli qendror, që këta avokatë të jenë kompetencë e ministrisë.

Salihu mori edhe shembullin e Agjencisë Qendrore të Prokurimit për centralizimin e blerjes për shembull të drunjve për ngrohje nëpër shkollat e Kosovës.

Tha se në bazë të kësaj drunjtë për shembull për shkollat e Dragashit do të blihen në Prishtinë dhe do të shkojnë pastaj drejt asaj komune.

Bekim Salihu pastaj duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve tregoi që për shkak të mos-koordinimit për një pronë mes nivelit lokal në Pejë dhe atij qendror, një investitor gjerman është larguar nga kjo komunë e Rrafshit të Dukagjinit.

Rozafa Ukimeraj, sekretarja e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, tha se komunat kanë zbatuar me sukses obligimet ligjore dhe kompetencat e tyre.

Ajo deklaroi se komunat në raport me vitet e kaluara vazhdimisht ulën shkeljet ligjore të tyre.

“Në vitin 2014 Kur e morën mandatin strukturat ekzistuese komunale niveli i shkeljeve ligjore nëpër komuna sa u përket vendimeve të kuvendeve komunale ka qenë 12 për qind, ndërkaq numri i shkeljeve është ulur në vitin 2016”, tha Ukimeraj.

Sipas GAP-it, shumica dërrmuese e kompetencave komunale ose ushtrohen nga niveli rajonal e qendror, ose në bashkërendim mes këtyre niveleve dhe atij lokal.