Konferenca e GAP-it | Foto: KALLXO.com

GAP: Mandatin e Kaluar Kryetarët e Komunave Përmbushën Gjysmën e Premtimeve

Bekim Salihu, hulumtues i Institutit GAP në një konferencë që lidhej me premtimet e kryetarëve të komunave në zgjedhjet lokale, tha se gjysma e premtimeve të tyre janë realizuar në mandatin e kaluar.

“Në mandatin e kaluar numri i premtimeve të dhëna nga kryetarët e komunave ka qenë më i vogël — gjithsej kanë qenë 548 premtime të dhëna në mandatin e kaluar. Nëse flasim për rezultatet e tyre, 243 premtime janë përmbushur plotësisht… Diku 55% të premtimeve janë përmbushur plotësisht”, tha ai.

Sipas Salihut, në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar nuk u dhanë premtime në të gjitha komunat.

Megjithatë, sipas shënimeve të GAP-it në zgjedhjet e vetme lokale u dhanë 888 premtime.

“Shikuar për nga numri i përgjithshëm i premtimeve që i kanë dhënë kryetarët e komunave ka dalë që janë 888 premtime që i kanë dhënë 26 kryetarë të komunave, për shkak se janë 12 komuna të cilat nuk kanë pasur fushatë aktive në terren”, tha Salihu.

Ndërkaq, Jeton Mehmeti, nga kjo organizatë konfirmoi se janë mbledhur të gjitha premtimet e fushatës.

“Gjatë fushatës së zgjedhjeve të fundit lokale, por edhe në atë të balotazhit, Instituti GAP ka regjistruar dhe evidentuar të gjitha premtimet që kanë dhënë kandidatët për kryetarë të komunave”, tha Mehmeti.

Gjithashtu, ai shtoi se secilit kryetar i janë dhënë premtimet e tij pas fitimit të mandatit me qëllim të komentit rreth listës së premtimeve të dhëna duke treguar se disa nga ta i kanë dhënë komentet rreth formës së realizimit të premtimeve.