GAP: Homologimi i Shtrenjtë dhe i Monopolizuar

Instituti GAP mbajti sot konferencë për shtyp ku prezantoi një analizë lidhur me homologimin e veturave, një proces me të cilin një makinë konsiderohet se u përshtatet rrugëve dhe ligjeve të vendit, të cilit i nënshtrohen të gjitha makinat që regjistrohen për herë të parë në Kosovë.

GAP-i homologimin e konsideroi të monopolizuar duke u bazuar në kontratën e ish-Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit me kompaninë “Eurolab” për kryerjen e këtij procesi, edhe pse qeveria në gusht të vitit të kaluar mori vendim që të rishikohen marrëveshjet apo praktikat monopolizuese për gjetjen e mënyrave se si të eliminohen ato.

GAP-i kërkoi që kjo kontratë të hetohej nga prokuroria, pasi ajo është nënshkruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi dhe në të njëjtën kohë sipas GAP-it Autoriteti Kosovar i Konkurrencës duhet ta interpretojë monopolin e homologimit.

Agron Demi, Drejtor Ekzekutiv i Institutit GAP tha se vendimi i Qeverisë i vitit të kaluar për eliminimin e të gjitha veprimeve që kufizojnë konkurrencën e lirë, nuk po gjen zbatim.

Ai po ashtu tha se MTPT-ja ka bërë shkelje të parimeve kushtetuese që kufizojnë konkurrencën e lirë përmes vendosjes ose abuzimit të pozitës dominuese, gjëra që janë të ndaluara dhe se kjo kontratë ishte nënshkruar edhe në kundërshtim me Ligjin për Konkurrencën si dhe në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, i cili kërkon proces të hapur dhe transparent me rastin e kontraktimit të shërbimeve, apo dhënies së licencave nga ana e institucioneve publike.

Sipas Demit “qysh nga nënshkrimi i kësaj kontrate në vitin 2009, duke i krahasuar çmimet me vendet e rajonit, deri më tani qytetarët e Kosovës kanë humbur 2.4 milionë euro”.

Ndërsa, Jeton Mehmeti, Drejtor për Hulumtime në GAP, në prezantimin e kësaj analize tha se Kosova ka homologimin më të shtrenjtë në rajon, por edhe disa vende të BE-së.

“Çmimi i homologimit në Kosovë prej 100 euro është dukshëm më i lartë në krahasim me vendet tjera të rajonit dhe madje është më i shtrenjtë se në shumë shtete të BE-së. Ku për shembull varësisht nga lloji i veturës, çmimi i homologimit në Maqedoni sillet nga 30 deri në 70 euro, në Mal të Zi ato sillen nga 30 deri në 80 euro, kurse në Kosovë është 100 euro,” tha Mehmeti.

Gjithashtu GAP-i rekomandoi që licencimi dhe inspektimi i qendrave tjera të kontrollit teknik të automjeteve të bëhet drejtpërdrejt nga Ministria e Infrastrukturës.

Kontrata e ish-MTPT-së me “Eurolab’-in vlen deri në vitin 2019.

Sipas një analize tjetër së Institutit GAP, në vitin 2014 në Kosovë ishin të regjistruara gjithsej 286,505 automjete. Më e vjetra ishte prodhim i vitit 1942.

Në përgjithësi mesatarja e vjetërsisë se veturave që qarkullojnë në Kosove është 18 vjet, apo 10 vjet më shumë sesa mesatarja e veturave që qarkullojnë brenda BE-së.

http://kallxo.com/berlloku-gjermanise-ne-forme-te-golf-2