GAP dhe BIRN: Mitrovicasit të Pakënaqur me Komunën

Instituti GAP dhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese-BIRN, publikuan të martën raportet hulumtuese mbi problemet infrastrukturore dhe të qeverisjes, me të cilat përballen tri komunat veriore të Kosovës: Mitrovica, Vushtrria dhe Skënderaj.

Sipas këtyre hulumtimeve, shqetësimet kryesore të banorëve të Komunës së Mitrovicës janë rrugët e dëmtuara, mbeturinat në qytet dhe në lumin “Trepça”, ndotja e ambientit, mungesa e furnizimit me ujë të pijes, kundërmimi nga lumi “Lushta”, mungesa e ndriçimit publik etj.

Sipas një hulumtimi të mëhershëm të UNDP-së që u publikua më 10 dhjetor 2012, niveli më i ulët i kënaqshmërisë është regjistruar në fushën e prokurimit publik dhe menaxhimit të buxhetit komunal, ndërsa papunësia mbetet një prej problemeve kryesore në Komunën e Mitrovicës me shifrat 56%.

Papunësia zyrtare në Kosovë është 35 për qind.

Në raportin e GAP-it janë identifikuar dy probleme që kanë të bëjnë me qeverisjen: mbingarkesa e administratës me staf civil dhe borxhi i lartë publik i Komunës së Mitrovicës.

“Në fund të 2012-ës Komuna e Mitrovicës kishte 321 të punësuar në administratën lokale. Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës për kriteret e madhësisë së administratës komunale, duhet të ketë me së shumti 171 të punësuar, ose një shërbyes civil për 620 banorë”, qartëson hulumtimi.

Komuna e Mitrovicës, sipas GAP-it e BIRN-it ka 150 punonjës tepricë dhe do të duhet që në vitet në vazhdim të trajtojë këtë problematikë.

Kjo komunë, duke u bazuar në këtë raport, duhet ta shtojë efektshmërinë e mbledhjes së tatimeve, nga subjektet që duhet ta paguajnë atë.

Visar Rushiti, analist në Institutin GAP, ka folur edhe për problemet në Vushtrri dhe Skënderaj.

“Mungesa e ujit të pijshëm, deponitë ilegale dhe qyteti i papastër, nxjerrja e thëngjillit në fshatin Zhilivodë, ndotja e lumenjve, mungesa e kanalizimeve, mungesa e vendndalimeve për autobusë, mungesa e parkingjeve dhe çerdheve publike, janë vetëm disa prej problemeve me të cilat ballafaqohen çdo ditë qytetarët e Vushtrrisë”, tha Rushiti.

Në raportin e këtyre dy organizatave,  thuhet se përveç problemeve me ujin e pijshëm, mungesën e kanalizimeve, me mbeturinat, ndotjen e ambientit, etj të cilat karakterizohen edhe në qytetet fqinje, Komuna e Skenderajt ballafaqohet edhe me mungesa të lokacionit për varreza, mungesa të transportit për nxënësit, mungesë të trotuareve etj.

“Mungesa e lokacionit për varreza në qytetin e Skenderajt është shfaqur si problem në vitet e fundit. Komuna nuk ka arritur të gjejë lokacion të duhur për të zgjidhur këtë problematikë.  Lokacioni aktual i varrezave nuk ka më shumë hapësirë. Kjo ka shtyrë qytetarët që të afërmit e vdekur t’i varrosin në fshatra. Kjo është paraqitur si shqetësim I banorëve edhe në mbledhjet publike të komunës me qytetarët“, theksohet në raport.

Ndërkaq, BIRN-i, në këtë prezantim ka shpalosur planet për debatet parazgjedhore me kandidatët për kryetarë komunash, të cilët do të përballen me pyetje konkrete se si do t’i zgjidhin problemet e identifikuara.

Po ashtu, BIRN-i ka ftuar qytetarët që të gjitha shqetësimet e tyre t’i adresojnë përmes platformës www.kallxo.com , pasi shqetësimet e tilla do t’u parashtrohen edhe kandidatëve për kryetar komunash gjatë debateve paraelektorale.

Raportet e publikuara nga GAP-i dhe BIRN-i do t’u dorëzohen të gjithë kandidatëve për kryetarë komunash, me qëllim që ata të përfshijnë në programin e tyre zgjedhor edhe alternativat për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Javën e kaluar janë publikuar raportet për komunat e Anamoravës, ndërsa në vijim, GAP-i dhe BIRN-i do vazhdojnë publikimin e raporteve tyre edhe për komunat e regjioneve të Gjakovës, Prizrenit, Ferizajt, Pejës dhe Prishtinës.