Tryeza e institutit GAP | Foto: KALLXO.com

GAP: Bizneset Vështirë Gjejnë Punëtorë të Kualifikuar

Një raport hulumtues i Institutit GAP erdhi në përfundim se bizneset e kanë shumë vështirë të gjejnë punëtorë të kualifikuar në Kosovë.

Raporti pas prezantimit të të cilit u zhvillua një tryezë diskutimi përfshiu 28 biznese kosovare për të cilat konstatoi se kanë numër të vogël të punëtorëve të kualifikuar.

92 për qind e kompanive që u përfshinë në hulumtim gjatë viteve të fundit kanë marrë punëtorë të rinj, ndërsa sipas hulumtimit 81.2 për qind të tyre kanë pasur vështirësi për të gjetur punëtorë.

Marrja e punëtorëve të pakualifikuar në disa raste ka penguar zhvillimin  e shërbimeve të reja të kompanive dhe ua ka ulur produktivitetin disave prej tyre.

Nora Jusufi, prezantuese e raportit nga Instituti GAP tha se situata e papunësisë në Kosovë nuk ka ndryshuar.

“Nuk po ndryshon situata në Kosovë, kemi një papunësi të madhe sidomos papunësi të madhe të rinisë ku hyn kategoria pas 24 vjeç. Në vitin 2016 ishte 52.4 % shkalla e papunësisë së rinisë. Shkalla e rinisë që nuk janë të punësuar, nuk janë duke u trajnuar dhe nuk janë duke u shkolluar që është 30.1 për qind”, tha Jusufi.

Ajo tregoi edhe ankesat që kanë pasur kompanitë për punëtorët. Sipas Jusufit, kompanitë kryesisht janë ankuar se punëtorëve u ka munguar komunikimi, aftësitë e gjuhëve të huaja dhe aftësitë kompjuterike.

Sipas raportit të GAP-it 81 për qind e kompanive me të cilat u realizua hulumtimi, zhvillojnë trajnime për punëtorët për rritje të cilësisë së shërbimeve në punë, duke mos i besuar arsimimit të kryer nga punëtorët.

Menduhije Krelani, bashkëpunëtore për çështjen e trajnimeve në Agjencinë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur tha se arsimimi mund t’i përshtatet tregut të punës.

“Kemi kuadro që e kryejnë shkollën e mesme dhe mbesin në shtëpi  kjo nuk është zgjidhja por çdo here do të jemi në bashkëpunim me tregun e punës çka ata kërkojnë cilat profile janë të rëndësishme”, tha Krelani.

Ndërsa, Fikrete Asllani, udhëheqëse e burimeve njerëzore në kompaninë ‘’Baruti’’ tha se është shumë e rëndësishme të informuarit korrekt dhe i detajuar nga punonjësi në mënyrë që zhvillimi i aftësive personale të jetë i ditur për kompaninë.

Ajo shtoi se një CV tregon shumë për një person që është i interesuar për punësimin në këtë kompani.

Asllani shtoi se “Baruti” ofron trajnime të shumta për punëtorët e tyre duke  bashkëpunuar me institucione arsimore private për ofrimin e moduleve të veçanta për punonjësit e kësaj kompanie.

Por një bashkëpunim i tillë ende nuk ka ndodhur me institucione publike edhe pse ka pasur përpjekje për bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës- Dega Gjuhë dhe Letërsi Gjermane.