Ganimete Musliu, deputete e PDK-së - Foto: KALLXO.com

Ganimete Musliu: Askush Nuk ka Mbajtur Shtet Duke Improvizuar

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kërkuar që Kuvendi të dalë me masa konkrete se si të adresohet çështja e ndotjes së ajrit.

Në seancën e jashtëzakonshme për ndotjen e ajrit e cila filloi dje dhe po vazhdon edhe sot, deputetja Musliu tha situata me ajrin e ndotur ka ardhur si pasojë e asaj që ajo e quajti neglizhencë e institucioneve.

Dhe në këtë mes ajo nuk e përjashtoi as institucionin ku vetë bën pjesë.

“Të gjithë po pajtohemi që situata që me të cilën po përballemi nuk është një situatë e krijuar sot apo brenda një kohe të shkurtër. Kjo situatë ka ardhur për shkak të mungesës së angazhimit serioz për të zhvilluar plane dhe strategji afatgjate”, tha Musliu.

“Neglizhenca e institucioneve, përfshirë këtu edhe Kuvendin, dhe mungesa e informimit kanë ndikuar që qytetarët t’i ekspozohen rrezikut permanent shëndetësor dhe ky rrezikim i shëndetit të qytetarëve është vërtetë një krim”, shtoi ajo.

“Shteti nuk bëhet duke improvizuar, nuk e ka bërë askush dhe nuk do të mundemi as ne të mbajmë një shtet të improvizuar”.

“Saherë gjindemi para situatave që veç fillojnë të dalin nga kontrolli, ne këtu po dërgojmë mençuri mbi mençuri si t’i tejkalojmë por nuk kemi nevojë të zbulojmë rrotën. Mjaftojmë apo ka mjaftuar të shohim se si i kanë evituar shtetet e tjera këto probleme dhe të paktën të fillojmë t’i marrim hapat e nevojshëm”, tha Ganimete Musliu.