Gani Geci në Gjykatën e Apelit | Foto: KALLXO.com

Gani Geci: Kujtuan se Jam Dëshmitar i Gjykatës Speciale

Gjykata e Apelit ka shqyrtuar sot rastin e vrasjes së Ruzhdi Shaqirit për të cilën akuzohet Gani Geci.

Në ankesën e tij, Gani Geci ka thënë se Ruzhdi Shaqiri po konsiderohet si person i rëndomtë, derisa Geci e etiketoi atë si vrasës me pagesë.

“Unë kam një aktakuzë që është ngritë kundër Ruzhdi Shaqirit dhe miqve të tij dhe këtu thotë ‘Tmerret e Biznesmenit nga Grupi i Ruzhdi Shaqirit’, ‘Dëshmitari: Më Kërcënuan që do të ma Vrasin Djalin’. Prej fillimit kam bërë ankesa por gjykata nuk i ka marrë parasysh. Por, fatmirësisht apo fatkeqësisht, nuk po di si me thënë, pasi që jam liru unë kanë dalë akuza të reja për Ruzhdi Shaqirin që ka qenë një vrasës, një vrasës me pagesë që ka vra oponentët politikë faktikisht”, tha Geci.

Shkrimet që përmendi Geci janë botuar në KALLXO.com nga gjykimi ku të akuzuar janë vëllezërit e gruas së Ruzhdi Shaqirit.

Geci tha se vendimi për këtë gjykim do të vërtetojë fjalët e tij.

“Për shkak se kanë dyshu që unë jam dëshmitar i Gjykatës Speciale kanë dashtë me më vra dhe ka qenë i shtyrë dhe toka që e ka pasë në Fushë-Kosovë iu ka premtu që nëse e vret Gani Gecin do t’i marrësh 10 hektarë tokë. Pra këto janë pretendimet e mia që tash janë në gjykimin tjetër. Ajo do të vërtetohet në aktgjykim tjetër dhe ai aktgjykim do të jetë si bazë për ju”, shtoi Geci.

Më tej, sipas Gecit një arsye tjetër pse kanë dashur ta vrasin, është për shkak të bashkëpunimit të tij me Gjykatën e me Prokurorinë e EULEX- it për zbulimin e vrasjeve politike që kanë ndodhur.

“Kjo ka qenë arsyeja se do të më vrasin, sepse unë e kam ndjek krimin, i kam ndjek kriminelët”, tha Geci.

Por e dëmtuara Halime Shaqiri, gruaja e Ruzhdi Shaqirit tha se është e pakënaqur me dënimin e shqiptuar nga Themelorja për Gecin.

“Unë plotësisht nuk jam e kënaqur me këtë vendim, sepse burri jem pa armë u kanë. E ka vra, ky e din për çka e ka vra”, tha e dëmtuara Shaqiri.

Ndërsa Sokol Dobruna, avokati i Halime Shaqirit, tha se vrasja e Ruzhdi Shaqirit është kryer me dashje, ndërsa sipas tij Shaqiri është rrëzuar nga e shtëna e parë dhe nuk ka pasur nevojë për tri të shtënat tjera.

Prokurori Marc Meslin tha se sipas raportit psikiatrik i pandehuri në aspektin mendor nuk kishte ndonjë defekt ditën kur u vra Ruzhdi Shaqiri, duke konstatuar se nuk ka ndonjë rrethanë lehtësuese për Gecin.

Por Ndrecë Dodaj, avokati i Gani Gecit, tha se njëri nga dëshmitarët atë ditë e ka paralajmëruar Gecin duke i thënë “kujdes se ka me të vra”.

Ruzhdi Shaqiri u vra më 4 gusht 2014 në kafiterinë “N’Qosh” në Skenderaj, ndërsa Gjykata Themelore në Mitrovicë vitin e kaluar e dënoi Gecin me 4 vjet e 6 muaj burg.

Vendimi do të merret jashtë seancës brenda afatit të paraparë me ligj.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për seancën e Apelit. Geci kishte thënë se në ditën kritike, pasi e ka perceptuar situatën edhe ka vepruar me mbrojtje të nevojshme.

http://kallxo.com/gani-geci-nuk-ishte-vrasje-por-mbrojtje-e-nevojshme/

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportet mund t’i gjeni këtu.