Gani Geci

Gani Geci Kërkon nga Gjykata e Apelit ta Lirojë nga Akuza

Mbrojtja pretendon se në rastin e Gani Gecit nuk kemi të bëjmë fare me vepër penale, por me mbrojtje të nevojshme.

I pandehuri, Gani Geci, i është përgjigjur ankesës së Prokurorisë të parashtruar në Gjykatën e Apelit.

NDËRLIDHUR

Siç raportoi KALLXO.com, prokurorja e EULEX-it, Steluta Lili-Oprea, ka kërkuar nga Apeli që Geci të gjykohet për vrasje të rëndë e jo për vrasje, për çka ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës me 4 vjet e gjysmë burgim.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit më 4 gusht 2014, në kafiterinë “N’Qosh” në Skenderaj.

Në përgjigjen e tij ndaj ankesës së Prokurorisë, Gani Geci ka paraqitur arsyet pse duhet të lirohet nga vepra që i vihet në barrë.

Gani Geci ka paraqitur provat që sipas tij dëshmojnë se Gjykata Themelore e Mitrovicës ka bërë vlerësimin e provave në dëm të tij.

“Nëse vlerësohen provat drejt nga Gjykata e Apelit atëherë këtu nuk kemi të bëjmë fare me vepër penale, por kemi të bëjmë me mbrojtje të nevojshme të sanksionuar në Kodin Penal, neni 12, pika 1, 2, 3 dhe 4 ose mbrojtje të nevojshme putative të përshkruar shumë mirë në Komentarin e Kodit Penal të Kosovës, fq. 49 nga Prof. Ismet Salihu”, thuhet në përgjigjen në ankesë të Gani Gecit.

Geci për të mbështetur pretendimin e tij në përgjigjen ndaj ankesës së Prokurorisë, përmend edhe deklaratën e dëshmitarit Naim Miftari.

“Dëshmitari Naim Miftari me datën 04.08.2014 më thotë: “Ruaju Gani pashë Zotin, se këta të vrasin pas shpine”. Gjithashtu edhe dëshmitari okular Emin Lati në deklaratën e tij të dhënë në prokurori thekson: “kushdo që do të ishte vend të Gani Gecit do të kishte vepruar njejtë, duke pasur parasysh rrethanat dhe fyerjet që Ruzhdi Shaqiri ia ka bërë Gani Gecit”, thuhet në përgjigjen në ankesë të Gani Gecit.

Lidhur me pretendimet e Prokurorisë që thirren në ekspertizat mjekësore Geci i konsideron absurde.

“Në pikën 7 prapë flitet për raportet mjekësore që prapë nuk di çka të them. Por të jetosh për 18 vite me kërcënime dhe me informata qoftë edhe të rrejshme se do të vritesh sot, se do të vritesh nesër, të pranosh informata  edhe nga faktorë sigurie se e ki jetën në rrezik, të pranosh informata edhe nga dëshmitarë të gjallë si Bahri Nika, Naim Shaqiri, Afrim Rama e shumë të tjerë dhe të mos frikësohesh për jetën, kjo është absurditet i llojit të vet”, thuhet në përgjigjen e Gecit ndaj prokurorisë.

Geci në një pikë të ankesës së tij madje pretendon se vetë Prokuroria tërthorazi e cilëson rastin si mbrojtje të nevojshme.

“Edhe vetë prokuroria pohon se Gjykata pas bërjes së konstatimit se i pandehuri nuk ka vepruar në mbrojtje të nevojshme, ka gabuar në ricilësim si vrasje në kundërshtim me nenin 178 të KPK-së. Në këtë pikë prokuroria për të dytën herë thotë tërthorazi se i pandehuri ishte më afër mbrojtjes së nevojshme neni 12 se  sa nenit 178. Me ankesën time kundër aktgjykimit të lartëcekur  kam theksuar të njëjtin konstatim se unë kam vepruar në mbrojtje të nevojshme konform nenit 12 të KPK-së”, thuhet në përgjigjen në ankesë.

Në dokumentin 8-faqësh më tej thuhet se Prokuroria duke mos i vlerësuar provat fajësuese dhe shfajësuese ka shkelur detyrimet e saj ligjore të  garantuara edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Më tej për të arsyetuar rrezikshmërinë që sipas tij i kanoseshin aktivistët e LDK-së, vetëm në Skenderaj, përmend disa persona të vrarë e të plagosur, mes tyre Haki Imeri, Besim Dajaku e Ahmet Ahmeti.

Mbi të gjithë këto pretendime dhe pretendimet e tjera të paraqitura në përgjigjen në ankesë, mbrojtja e Gecit kërkon nga Gjykata e Apelit që ta lirojë nga akuza e vrasjes.

“I  propozojmë Gjykatës së Apelit që në përputhje me kompetencat e saj ligjore  t’i lexojë dëshmitë e dëshmitareve dhe te më lirojë nga akuza duke u bazuar në Kodin Penal neni 12 ku mbrojtja e nevojshme përjashton përgjegjësinë penale apo mbrojtje nevojshme putative e liron të pandehurin  nga dënimi, gjithmonë duke u bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen në ankesë të Gani Gecit.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar lidhur me ecurinë e këtij gjykimi ndërsa raportet mund t’i gjeni në këtë link. 

30 Janar 2017 - 00:02

Labinot Leposhtica 30/01/2017 - 00:02
NDËRVEPRIMI0

Gani Geci Kërkon nga Gjykata e Apelit ta Lirojë nga Akuza

by Labinot Leposhtica
NA NDIQNI

Send this to a friend