Kandidati i AAK-së, Gani Dreshaj, duke votuar - Foto: KALLXO.com

Gani Dreshaj Tregon a do t'ia Urojë Fitoren Haki Rugovës

Kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës së Istogut, Gani Dreshaj, ka shkuar për të votuar por nuk ka marrë me vete dokument identifikimi.

Ai ka dalë nga qendra e votimit pa votuar, duke pritur që t’ia sjellin një dokument identifikimi.

Pas disa minuta pritjeje, Dreshaj e ka realizuar të drejtën e tij kushtetuese.

“U vonova pak se e kam harru në shtëpi pasaportën”, tha Dreshaj pas votimit.

Kandidati i AAK-së për kryetar i ka uruar qytetarët e komunës së Istogut për zgjedhjet dhe ka shfaqur shpresën se votimet do të shkojnë pa telashe.

I pyetur nga mediat se a po barten votuesit për në qendrat e votimit, Dreshaj tha: “Tybe nuk e di, as që i kam thanë dikujt. Nuk e di kush janë. Mirëpo ne kemi çu edhe autobusë në Prishtinë me i marrë të gjithë studentët pa dallim partie”, tha ai.

Në fund, Dreshaj theksoi se nëse procesi shkon në rregull dhe rivali i tij del i pari me vota ai do t’ia urojë fitoren.

Ndryshe, qytetarët e komunës së Istogut po votojnë sot për kryetarin e tyre.

Në garë janë Haki Rugova dhe Gani Dreshaj i AAK-së.

Votimi i sotëm është përsëritje e balotazhit të 19 nëntorit.

Në votimet e rrethit të parë, Rugova e Dreshaj kishin marrë më së shumti vota, por jo të mjaftueshme sa për të fituar zgjedhjet e 22 tetorit.

Pas balotazhit LDK ishte ankuar për parregullsi me votat nga jashtë dhe Gjykata Supreme ka vendosur për përsëritjen e balotazhit.