Foto-ilustrim

Fyerje, Kanosje e Sulme ndaj Personave Zyrtarë

Dikush ka fyer një inspektor komunal, dikush e ka kanosur një punëtor të KEDS-it e disa të tjerë kanë sulmuar policinë dhe i kanë penguar ata në kryerjen e detyrës.

Brenda 24 orëve të fundit  kanë  ndodhur tre raste të pengimit të personave zyrtarë, sipas raportit të Policisë së Kosovës për ngjarjet në komunat kryesore të Kosovës.

Raporti policor tregon se gjatë ditës së djeshme  njësiti policor në Prishtinë ka arrestuar një të dyshuar i cili ishte duke punuar si taksist ilegal, ndërsa edhe ka fyer një inspektor komunal.

Në të njëjtën ditë në Vushtrri është kanosur një punëtor i KEDS-it derisa po i shkyçte rrymën një personi që nuk e ka kryer pagesën. I dyshuari është arrestuar për kanosje të këtij punëtori në prani të policisë.

Ndërkaq në rajonin e Pejës zyrtarët policorë janë penguar dhe sulmuar nga tre persona derisa ishin duke e arrestuar një nga tre të dyshuarit  për vjedhje.

Në 24 orëshin e fundit Policia e Kosovës ka arrestuar 37 persona në  komunat kryesore të Kosovës.