Objekti i Komunës së Mitrovicës | Foto: KALLXO.com

Fyerje e Kërcënime mes Asamblistit dhe Drejtorit në Mitrovicë

Asamblisti i PDK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, Gazmend Muja, ka raportuar në Polici për një mosmarrëveshje që, sipas tij, ka pasur me drejtorin e Shërbimeve Publike, Besnik Beka, nga i cili thotë edhe të jetë kërcënuar.

Për këtë incident ka njoftuar edhe Policia në raportin e saj të përditshëm.

Të kontaktuar nga KALLXO.com, të dy palët thonë se janë kërcënuar dhe ofenduar nga pala tjetër.

Asamblisti Muja tha se drejtori Beka e ka kërcënuar verbalisht dhe fizikisht.

“Dje kemi pasur mbledhjen e Kuvendit Komunal dhe gjatë një pakënaqësie që ne deputetët e PDK-së e kishim gjatë mbledhjes duke dalë jashtë ne unë në mënyrë shoqërore kam tentuar ta përshëndes Besnik Bekën dhe ai ma ka kap dorën dhe ma ka ngreh në tavolinë. Pastaj në korridor më ka sha. Tre herë më ka kërcënu”, tha Muja për KALLXO.com.

Në anën tjetër, drejtori Besnik Beka tha për KALLXO.com se mosmarrëveshja nuk ka pasur të bëjë me pikat e diskutimit në Kuvend e as me partinë.

“Nuk është e vërtetë ajo që e ka thënë ai. Realisht ai më ka provokuar në një formë gjatë seancës, më ka provokuar me dorë, pastaj e kam pyetur se çfarë halli ka me mu. Unë kam qenë i ulur në karrige dhe ai më ka provokuar me dorë, pastaj kam dalë në korridor, më ka ofenduar dhe e kam ofenduar. Kaq”, tha Beka.

Sipas Policisë, rasti, i cili po trajtohet si “kanosje”, vazhdon të hetohet.