Pamje nga takimi në Ditën Kundër Kancerit të Gjirit – Foto: KALLXO.com

Fushatë për Vetëdijesim dhe Parandalimin e Kancerit të Gjirit

Në gjithë botën tetori njihet si muaj i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Prandaj, edhe Ministria e Shëndetësisë dhe Bordi Nacional për Luftimin e Kancerit në Kosovë janë duke zhvilluar aktivitete të ndryshme për vetëdijesimin e qytetarëve në lidhje me këtë çështje.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se Ministria është duke u angazhuar në koordinim me institucionet shtetërore dhe iniciativa të ndryshme nga shoqëria civile në rritjen e efektit të informimit nga aktivitetet e tetorit.

“Bordi Nacional për Kontrollin e Kancerit e Ministria e Shëndetësisë po vazhdojnë aktivitetet e vetëdijesimit institucional për format e luftimit të kancerit të gjirit që edhe në Kosovë po paraqitet me ashpërsinë e saj si çdo kund në botë”, tha Rrahmani.

Ministri tha se është rekomanduar me shkrim që institucionet shëndetësore të përkujdesen dhe të krijojnë mundësi shtesë për ekzaminime dhe diagnostikim në muajin tetor për të gjitha gratë e interesuara për mamografi.

Ndërsa, Suzana Manxhuka-Kërliu, kryesuese e Bordit Nacional, i themeluar nga Ministria e Shëndetësisë, bord ky që përbëhet nga 27 anëtarë, tha se për hir të këtij muaji është përgatitur një spot, moto e të cilit është se skenimi dhe detektimi i hershëm i kancerit të gjirit shpëton jetë.

Ajo foli edhe për aktivitet e tjera që do të mbahen në vazhdimësi.

“Kosova do të marrë pjese në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Parlamenti Evropian mbi problemin e kancerit të gjirit në Evropë. Si Kosovë do të marrim pjesë edhe në samitin e liderëve botërore për kancer që do të organizohet në Paris në kuadër të kongresit botërorë”, tha Manxhuka-Kërliu.

Kurse, drejtori i Klinikës së Onkologjisë Ekrem Hyseni tha se Shoqata e Onkologëve dhe shoqëria civile të përfaqësuar nga shoqata “Jeta Vita” kanë ndërmarrë iniciativa për të shënuar muajin e vetëdijesimit për kancerin e gjirit.

“Gjatë këtij muaji kemi organizuar takime nëpër komuna të cilat kanë për qëllim që të jemi sa më afër qytetarëve me informacione për rrezikshmërinë, zhvillimin e hershëm dhe procedurat që duhet ndjekur në rast se shfaqet ndonjë problem”, tha ai.

Sipas tij takimet janë të planifikuara për t’u realizuar në 12 komuna.

Në pyetjen drejtuar nga KALLXO.com për mungesën e barit “Xeloda”, për të cilin pacientët janë ankuar se ka mungesë prej një muaji, drejtori Hyseni dha këtë përgjigje: “Kam kënaqësinë të ju përgjigjem në pyetjen tuaj historike që e kam mësuar përmendsh që bartet nga viti në vit. Fillimisht ilaçin e kemi mungesë që njëmbëdhjetë ditë, edhe sot janë duke e marrë pacientët” tha ai.

Vitin e kaluar KALLXO.com ka raportuar se në Ditën Botërore kundër Kancerit nuk ka pasur citostatikë

http://kallxo.com/kosova-pa-citostatike-ne-diten-boterore-kunder-kancerit/

Kanceri i gjirit është shkaktari më i shpeshtë i vdekjes te gratë e moshës 40-50-vjeçe.

Në janar të këtij viti Klinika e Onkologjisë ka njoftuar opinionin se në vitin 2015 ka pasur 808 raste të reja me kancer. Prej tyre më së shumti kishte raste të reja të kancerit të gjirit – gjithsej 204.

http://kallxo.com/qkuk-808-raste-te-kancerit-ne-2015-en/

Mamografi mobil, pajisja që diagnostikon kancerin e gjirit te femrat, u sigurua me anë të donatorëve nga angazhimi i deputetëve të legjislaturës së katërt të Kuvendit të Kosovës.

Pas funksionalizimit, mamografi ka udhëtuar në disa qytete të vendit, me ç’rast me kancer të gjirit janë diagnostikuar shumë gra.