Ekspozita me furrat dhe sobat e përdorura gjatë luftës që njerëzit kanë dhuruar pë muzeun. Foto: BIRN.

Furrat e Kohës së Luftës i Kujtojnë Boshnjakëve Luftën për Ngrohje

“Ognjiste” është një fjalë e zakonshme për vatër ose oxhak në gjuhët e Ballkanit – por fjala ka një kuptim shumë më të gjerë. Në kulturën e Bosnjës dhe vendeve fqinje, oxhaku është zemra e shtëpisë, ku familja mblidhet rreth një vendi të ngrohtë për ushqim.

Fjala përdoret edhe për kaldajat, që janë ende të rëndësishme për ngrohjen e shumë njerëzve në të gjithë rajonin.

Ato gjithashtu shpëtuan shumë qytetarë të Sarajevës gjatë rrethimit të gjatë të qytetit nga viti 1992 deri në vitin 1995.

Për t’ia kujtuar këtë njerëzve, Muzeu Historik i Bosnjës dhe Hercegovinës ka hapur një ekspozitë me furra të kohës së luftës në hollin e ndërtesës së komunës së Novi Gradit në Sarajevë.

Ekspozita, e quajtur “Furrat e luftës të Sarajevës – histori nga një qytet i rrethuar” – përbëhet nga kaldaja të përdorura si furra dhe soba që njerëzit ia dhuruan muzeut.

“Ne duam të hapim dyert e muzeut tonë për qytetarët dhe t’i inkurajojmë ata t’i dhurojnë muzeut sende dhe histori të tyre të kohës së luftë,” tha për BIRN kuratorja e muzeut Tijana Krizanoviç. Muzeu mbledh gjithashtu dokumente, fotografi dhe sende të tjera që njerëzit i përdorën gjatë luftës.

Ndërtime të improvizuara, që i ngjajnë atyre që mund të shikoni në ndonjë film me temë apokalipsi, ndodhen në një dhomë të një institucioni me shumë lëvizje, me vizitorë që kalojnë aty rastësisht ndërsa merren me dokumentet e tyre.

“Ne i ekspozuam këtu këto në mënyrë që njerëzit t’i shohin ata dhe të kujtojnë ato kohë ndërsa vijnë të merren me punët e tyre,” tha Krizanoviç.

Me ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike gjatë rrethimit, apartamentet duhet të mbështeteshin te zjarret dhe kur ndodhte të vinte ndonjëherë papritur gaz. Të blije thjesht një furrë zjarri nuk ishte një opsion.

Por banorët e Sarajevës gjetën mënyra.

Furrat e paraqitura në ekspozitë janë të çdo forme dhe përmasë të imagjinueshme dhe dizajni shpesh i ngjan çdo gjëje që njerëzit mund ta merrnin, ta modifikonin dhe ta bënin furrë.

Fadila Basiç, një sarajevase 53-vjeçare e cila së bashku me bashkëshortin e saj, Feridin, rritën dy vajza të vogla gjatë tmerreve të luftës, e mban mend shumë mirë se sa rëndësi kishte një furrë për të. “Një furrë është jetë. Pa të, nuk ka asgjë,” tha ajo për BIRN.

Ja pra! Kishit një llampë

Gazi ishte një komoditet luksoz gjatë luftës. Herë pas here, ai vinte në qytet dhe shkaktonte një përzierje gëzimi dhe tragjedie. Ai nuk kishte erë, kështu që nuk e nuhasje dot kur kishte rrjedhje gazi.

Dikush mund të ndizte një cigare dhe të hidhte në erë gjysmën e një ndërtese. Kështu përdorej gazi si armë, thonë shumë banorë të Sarajevës.

Është tepër efikas, duke pasur parasysh se shumë njerëz që kishin ngrohje qenderore para luftës shtrinin tuba nga një apartament tek një tjetër që kishte gaz dhe i lidhnin ata.

Tubi ndahej midis disa ndërtesave, kalonte nëpër kanalet e kulmit nëpër çati, të cilat përdoreshin gjithashtu për të mbledhur ujë shiu. Fundet e tubave përfundonin kryesisht në një furrë të improvizuar, shpesh të vendosur në një pllakë të madhe që shërbente si sobë e vogël.

Një sasi e vogël gazi mund të kalohej edhe me tuba të vegjël dhe transparente të përdorur nga spitalet për transfuzione. I shtoje dhe majën e një stilolapsi në fund dhe ja pra ku kishit një llambë.

Menjëherë pas fillimit të luftës, kur energjia elektrike u shkëput, bashkëshorti i Basiç dhe vëllai i tij morën një kanoçe të madhe dhe vendosën një fitil poshtë tij, “kështu të paktën mund të bënim kafe”.

Por ishte e ftohtë, pasi nuk kishte ngrohje në apartament pa energji elektrike. Burri i Basiç u përpoq të gjente një mënyrë për ta kthyer gazin nga soba e tij në ngrohje për familjen, kështu që ai e rrethoi sobën me tulla që ngrohnin apartamentin.

Por edhe kjo nuk ishte zgjidhje, pasi nuk kishte asnjë mënyrë për të nxjerrë tymin helmues nga dhoma.

“Morëm vesh për një burrë në lagjen tonë që bënte furra, kështu që shkova e takova dhe e pyeta se ç‘lloj materiali metalik ishte më i miri. Ti i çoje materialin dhe ai e ndërtonte,” kujton ajo.

Materiali më i mirë metalik, sipas tij, ishte lloji që përdorej në sobat termike.

Basiç gjeti ca që ajo e kishte përdor gjatë kohës që kishte ende energji elektrike dhe e veçoi atë.

Në luftë, tregtia vazhdonte ende. Thjesht kishte një tjetër shije – një qytet i rrethuar i ngjan shumë një burgu të madh.

“I dhashë materialin dhe e pagova me shtatë paketa cigaresh “Drina”, tha Basiç. “Kjo ishte një marrëveshje brenda lagjes, pasi zakonisht ai merre dhjetë paketa,” shtoi ajo.

Të gatuaje me goma makinash

Foto: BIRN

Produkti përfundimtar ishte një kuti katrore gri në kafe me këmbëza të vogla dhe dy ndarje, që familja e përdori për vitet e ardhshme, si për gatim ashtu edhe për ngrohje.

Furra nuk mund ta ngrohte të gjithë apartamentin, kështu që familja flinte e mbledhur në një dhomë. Ata gjithashtu laheshin para saj.

Banorët e Sarajevës vendosnin një fitil brenda ndarjes së zjarrit me dru të këtyre sobave, sa herë që kishte gaz, pasi druri shumë shpejt u pakësua. Kur nuk kishin gaz, ata gjenin zgjidhje të tjera.

“Për të bërë një byrek në atë furrë, këpucët ishin zgjidhja më e mirë. Për supë, mund të përdorje ndonjë vepër të Branko Copic (shkrimtar boshnjak) ose ndonjë gjë tjetër – duhej të kërkoje libra me kapakë të trashë,” ndërhyn bashkëshorti i Basiçit, Feridi.

Duke qenë se s’kishin ku të shkonin dhe nuk kishin asnjë lloj karburanti, përdorimi më i mirë për gomat e makinave ishte të gatuaje me to.

Sasia e rrigave të gomës që duhej për të gatuar një vakt shënohej në recetë. Fasulet donin gjashtë rriga që të bëheshin.

Por këpucët ishin zgjidhja e preferuar.

Basiç shpesh shkonte atje ku ndaheshin ndihmat humanitare. “Nëse shikoja një këpucë teke, shkëlqyeshëm!” tha ajo.

Kur mbaronin ato, u vinte radha dyshemeve prej druri dhe mobilieve.

“Zjarret bëheshin me çdo gjë që ishte e përshtatshme dhe që mund ta siguroje,” kujton ajo.

Por problemet nuk mbaronin aty. Lindën probleme të reja, që kërkonin ide më kreative. Për shembull, si të gatuaje kur s’kishe asnjë ushqim?

Basiç kujton një sërë gjërash që ajo përziente, si për shembull “bukë kek”, specialiteti i saj i kohës së luftës që bëhet me bukë, ujë të ëmbël dhe pluhur arre kokosi që familja e merrte si ndihmë humanitare.

“Në kohë lufte, çelësi është improvizimi,” tha bashkëshorti i saj.