Foto: Facebook

Fuqia e Heshtur e Listës Serbe

Dështimi për votimin në Kuvend të marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi më 1 shtator, nxori edhe njëherë në pah fuqinë e Listës Serbe si grup parlamentar brenda legjislativit kosovar.

Marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel ndërmjet dy qeverive më 26 gusht të 2015, iu desh plot një vit që t’i vendoset data e shkuarjes në Kuvend për votim, thjesht për të dështuar, pa u përballur me një votim i cili mund ta kishte thelluar dështimin.

Ndërsa taborët politikë, pozitë dhe opozitë ishin larguar në masë nga njëra-tjetra sa i përket qëndrimeve të tyre në lidhje me Demarkacionin, ishin veç grupet parlamentare të komuniteteve ato që kishin qëndruar pothuajse krejt të heshtura sa i përket kësaj çështje.

E përderisa pritej që më 1 shtator kësaj çështje t’i vinte fundi, në skenë, si në raste të tjera madhore, dolën deputetët serbë të Kuvendit të Kosovës, të cilët e parandaluan atë, duke mos marrë pjesë në seancë, gjë që e shtyu Kryeministri Isa Mustafa të tërheqë marrëveshjen mbrapa, për shkak që pa votat e deputetëve serbë, vështirë kjo marrëveshje do të arrinte 2/3 e votave, aq sa duhet për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Mirëpo shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Sllavko Simiq, pati deklaruar për KALLXO.com më 2 shtator, se ata kishin munguar vetëm për shkak të sigurisë dhe se nuk i kishin vënë kushte partnerëve të koalicionit.

“Arsyeja e mosardhjes sonë në seancën e djeshme lidhej me situatën e sigurisë, e cila për shkak të organizimit të protestës mund të eskalonte dhe moskoordinimit të partnerëve tanë të koalicionit me Listën Serbe. Kjo është e vetmja arsye dhe arsye tjera që dolën në opinion se ne kushtëzuam dikë, ose diçka nuk ka,” kishte thënë Simiq për KALLXO.com.

http://kallxo.com/lista-serbe-nuk-pati-kushte-per-demarkacionin/

Në anën tjetër kjo nuk është hera e parë që Lista Serbe i tregon muskujt para grupeve tjera parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Kujtohet ankthi i dy partnerëve tjerë qeveritarë, PDK-së e LDK-së kur po votohej për Presidentin e Kosovës. Në ditën kur do duhej të votohej në Kuvend, askush nuk e dinte nëse ata do të merrnin pjesë.

Lista Serbe madje e kishte bojkotuar edhe punën e Kuvendit për një kohë për shkak të shkarkimit të ish-ministrit serb, Aleksandër Jabllanoviq.

Mirëpo Lista Serbe po vazhdon t’i tregojë muskujt, veçanërisht te njëra prej çështjeve, të cilën po e mban peng për një kohë të gjatë. Është shndërrimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK). Për një votim të tillë në Kuvend duhen kryer ndryshime në Kushtetutë. E këtu edhe ka një paqartësi të madhe, nëse duhen apo jo 2/3 e komuniteteve të pakicës për një hap të tillë.

Ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi në një prononcim për Gazetën Jeta në Kosovë thotë se fajin kryesor për këtë fuqi kaq të madhe politike të Listës Serbe e kanë bisedimet e Brukselit.

“Gjatë dy mandateve të mija ne nuk e kishim një Listë Serbe që i përgjigjej Beogradit. Pra, Lista serbe është prodhim i Bisedimeve te Brukselit dhe për këtë faji është i Thaçit dhe i Mustafës”, thotë Krasniqi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Po ashtu, analisti Albert Krasniqi nga KDI, që monitoron punën e Kuvendit e cilëson si një regres krijimin e Listës Serbe, dhe thotë se është një subjekt politik i kontrolluar nga Beogradi duke theksuar fuqinë e Listës Serbe karshi grupeve tjera parlamentare.

“Garantimi i 20 ulëseve ka ndikuar që të mos ketë përfaqësim proporcional, pra që përfaqësimi i partive politike në Kuvend të jetë në proporcion me numrin e votave që kanë marrë ne zgjedhje. Si rrjedhojë, deputetet e grupeve parlamentare që përfaqësojnë komunitetin serb dhe kanë 10 ulëse të garantuara, janë më të favorizuar në raport me grupet e tjera parlamentare dhe faktorizimi i tyre zakonisht vjen në shprehje te ndryshimet kushtetuese që kërkojnë edhe votën e dy të tretave të deputetëve të komuniteteve”, tha Krasniqi për Gazetën JNK.

Në lidhje më këtë, Jakup Krasniqi vlerëson se nga ky privilegj që iu është dhënë deputetëve të Listës Serbe, votat e deputetëve nuk vlejnë njësoj.

“Derisa ka për disa çështje votim të dyfishtë, do të thotë, votat nuk janë të barabarta. Ndonëse në dokumentin e Ahtisarit, vota e dyfishtë e komuniteteve është vetëm për çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e tyre”, theksoi Krasniqi për Gazetën JNK.

Ndërsa sa i përket stopimit të procesit të shndërrimit të FSK-së në FAK, numri dy i Nismës për Kosovë thotë se nuk duhet kërkuar vota e dyfishtë apo 2/3 e komuniteteve pakicë.

“Kjo çështje nuk i prek të drejtat e liritë e komuniteteve dhe nuk do të duhej të kërkohet vota e dyfishtë e komuniteteve pakicë”, tha ai.

Grupi parlamentar i Listës Serbe ka gjithsej 11 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Vendet e rezervuara për komunitete janë të parapara me Planin e Ahtisarit.

http://kallxo.com/opozita-nuk-do-me-seance-lista-serbe-e-mbeshtet-gjykaten-speciale/

http://kallxo.com/lista-serbe-kthehet-ne-institucionet-e-kosoves/

http://kallxo.com/lista-serbe-vazhdon-ta-kushtezoje-kthimin-ne-institucione/

http://kallxo.com/lista-serbe-vonon-themelimit-e-fak-ut/

http://kallxo.com/lista-serbe-merr-pjese-ne-votim-te-msa-se/

http://kallxo.com/lista-serbe-nuk-pati-kushte-per-demarkacionin/