Kadri Veseli - Foto: KALLXO.com

Ftesa e Kryeparlamentarit Për Kolegët e Tij Deputetë

Kreu i Kuvendit, Kadri Veeseli ka ftuar deputetët që ta votojnë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, në seancën e së dielës.

“Ftoj deputetët e Kuvendit të Kosovës, si të zgjedhur nga populli për të punuar për të mirën e vendit, që të dielën, në orën 18:00, të jenë prezentë në seancë dhe ta përkrahin Marrëveshjen për Kufirin me Malin e Zi, që e forcon edhe më tutje sovranitetin e Kosovës dhe hap perspektivën tonë europiane. Jam i lumtur që po shkojmë drejt një konsensusi nacional e politik që kjo çështje të përfundojë”, ka shkruar ai në Facebook.

Veseli ka falënderuar edhe Malin e Zi, sic ka thënë “për gatishmërinë që Kosova ta tejkalojë situatën në të cilën gjendet tash e sa kohë”.

Ai pret dhe beson që BE-ja  do të veprojë shpejt për t’i hapur rrugë liberalizimit, duke thënë se qytetarët e Kosovës janë mbajtur gjatë të izoluar.

“Nuk ka forcë politike, pro-perëndimore, që ia do të mirën Kosovës, e që nuk e përkrah këtë proces, që nuk e dëshiron forcimin e sovranitetit të Kosovës, agjendën europiane dhe miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.