Parakalimi i FSK-së - Foto: Presidenca e Kosovës

FSK Jep Detaje Rreth Organizimit të ‘Epopesë së UÇK-së’

Me rastin e vitit jubilar, 20 vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendarë Adem Jashari, Familjes Jasharaj, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Republikës së  Kosovës nën patronatin e kryeministrit Ramush Haradinaj me datat 5, 6 dhe 7 Mars 2018, organizon manifestimin gjithë-popullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Forca e Sigurisë së Kosovës me datë 5 mars 2018, nga ora 11:00, organizon  ceremoninë për manifestimin e “Epopesë së UÇK-së”.

Në ora 11:00, në pistën e kazermës “Adem Jashari”,  do të fillojë manifestimi me rreshtimin e kuadrateve të FSK-së. Të pranishëm do të jenë udhëheqja më e lartë shtetërore, përfaqësues të institucioneve, Familja Jasharaj, veteran të UÇK-së, mysafirë të lartë, qytetarë etj.

Në këtë rast para të pranishmëve fjalime do të mbajnë Presidenti  Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi; Ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha; Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama  dhe një pjesëtar i familjes Jasharaj.

FSK tha se mirëpret të gjithë qytetarët që do gjejnë kohë dhe mundësi për t’u bashkëngjitur në këtë manifestim jubilar të 20 vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendarë Adem Jashari, Familjes Jasharaj, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri.