Presidenti Thaçi në ceremoninë e sotme të gradimit në FSK. Foto: MFSK

FSK-ja Gradon 5 Pjesëtarë të Komuniteteve Pakicë

Sot janë graduar 5 pjesëtarë të komuniteteve pakicë në Batalionin e Parë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në ceremoninë e gradimit ka marrë pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ka uruar FSK-në për këtë hap të madh drejtë ndërtimit të një force profesionale gjithëpërfshirëse ku, sipas tij, gjejnë vend të gjitha komunitetet e Kosovës.

“Sot shënojmë gradimin e 5 pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Të gjithë vijnë nga komuniteti jo shumicë duke shtuar prezencën e tyre në FSK dhe duke kontribuar në realizimin e aspiratës që kemi për forcën tonë të sigurisë.  Pasi kanë kalu trajnimet dhe testet e parapara këta 5 pjesëtar të FSK-së  nga sot do të mbajnë gradën e nënoficerit të FSK”, tha Thaçi.

Tre nga pesë të graduarit të cilët që nga sot do ta bartin gradën e nën-oficerit, janë të komunitetit serb.

Thaçi ka shtuar se me angazhimin e vet gjatë këtyre viteve FSK tregon se është forcë në shërbim të të gjithë qytetareve të Kosovës. Sipas tij, është rritur niveli i profesionalizimit dhe gëzon besimin e gjithë qytetarëve.

Duke parë këto të arritura të FSK-së, Thaçi është shprehur i bindur se kjo forcë është e gatshme të marrë përgjegjësi të reja, detyra të reja dhe të kontribuojë për paqen dhe sigurinë përtej Kosovës.

“Si Kosovë synojmë që nga një konsumues i resurseve të sigurisë së NATO-s, të kthehemi në kontribues për siguri në rajon e më gjerë së bashku me NATON të punojmë për paqen në botë. Jemi duke bashkëpunuar ngushtë me NATO-n dhe partnerët tanë që ta realizojmë këtë transformim dhe këtë aspiratë”, tha ai.

Ndërsa, ministri i FSK-së Rrustem Berisha duke iu uruar të graduarve suksese në karrierën e tyre ka shtuar se FSK-ja dëshmon se është forcë e besueshme dhe multietnike.

“Ceremonia e sotme na gëzon të gjithëve sepse e dëshmon që Forca e Sigurisë së Kosovës është bërë forcë e besueshme, për të gjithë qytetarët e Kosovës, forcë multietnike, e hapur për të gjithë dhe në shërbim të të gjithëve”, tha Berisha.

Berisha shtoi se janë të përkushtuar për integrimin e qëndrueshëm të komuniteteve në FSK dhe në këtë drejtim ai tha se po i realizojnë objektivat e tyre të parapara jo vetëm për integrim por edhe në avancimin në grada.