Prezantimi i pajisjeve të FSK-së për çminim - Foto: MFSK

FSK dhe KFOR Shkatërrojnë Mjete të Pashpërthyera

Pjesëtarë të FSK-së, KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe anëtarë të disa organizatave joqeveritare kanë demoluar sot mjete të pashpërthyera për të shënuar kështu Ditën Ndërkombëtare të Çminimit.

Operacioni është realizuar në poligonin e KFOR-it në Zatriq të Rahovecit.

Në një fjalë rasti, zëvendësministri i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Muhamet Latifi, theksoi se Kompania e Çminimit deri më tani ka pastruar nga minat mbi 50 milionë metra katrorë si dhe janë gjetur dhe shkatërruar 88,778 mina dhe mjete tjera të pashpërthyera.

Ai theksoi se FSK-ja do të vazhdojë pastrimin e të gjitha pjesëve të minuara të Kosovës, njofton një komunikatë e Ministrisë së FSK-së.

Në emër të Ministrisë, zëvendësministri ka falënderuar KFOR-in amerikan, gjerman, zviceran, si dhe ShBA-në për ndihmën e dhënë qoftë në pajisje të shumta, qoftë në ngritjen profesionale të pjesëtarëve të Kompanisë së Çminimit.

Në komunikatë thuhet se shefi i Qendrës Koordinuese të Ministrisë së FSK-së, Ahmet Sallova, pasi ka prezantuar pajisjet, ka pasqyruar aktivitetet e përgjithshme të Kompanisë së Çminimit.

Me këtë rast, ai ka thënë se FSK-ja që nga viti 2010 ka pastruar mbi 1.745,465 metra katrorë si dhe ka shkatërruar 2,177 mjete të ndryshme eksplozive të pashpërthyera, kurse ekipet e EOD-së kanë intervenuar në 2,136 raste dhe kanë demoluar 3,150 mjete të ndryshme eksplozive.

Po ashtu, Sallova tregoi se megjithatë janë edhe 111 zona të afektuar nga minat dhe mjetet tjera eksplozive të pashpërthyera.