Foto: MFSK

FSK dhe KFOR Përurojnë Urën mbi Sitnicë

FSK dhe KFOR përuruan sot një urë në Mitrovicë e cila ishte dëmtuar më parë për shkak të qarkullimit të automjeteve me pesha të rënda në të.

Ura e ndërtuar është donacion i KFOR-it.

Punët për meremetimin e urës dytësore mbi lumin Sitnicë, afër urës kryesore në hyrje të tunelit në Bair, kishin filluar kohë më parë si projekt i përbashkët ndërmjet KFOR-it dhe FSK-së.

Të pranishëm në hapje të urës ishin ministri i FSK-së Rrustem Berisha, komandanti i KFOR-it gjeneral major Salvatore Cuoci dhe komandanti i FSK-së Rrahman Rama.

Me rastin e hapjes ministri Rrustem Berisha tha se kjo urë është në interes të të gjithë qytetarëve.

“Sot po e përurojmë urën që lidh qytetarët e te dyja anëve të lumit. Kjo urë është bërë në bashkëpunim me KFOR-in dhe është në interes të qytetarëve të Kosovës, ne edhe më tutje do të vazhdojmë me projekte të tilla që janë në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim”, tha ministri Berisha.

Kurse komandanti i KFOR-it, gjeneral Salvatore Cuoci, tha se përmes këtyre projekteve po dëshmohet edhe një herë bashkëpunimi dhe mbështetja e KFOR-it për FSK-në.

Foto: MFSK

“Ne jemi këtu për të dëshmuar edhe një herë se ne e mbështesim FSK-në në kuadër të mandatit të tanishëm të cilin e ka. Jemi dëshmitarë për atë së çka është në gjendje të bëjë FSK-ja dhe se ajo është këtu për të kontribuar për të gjithë qytetaret e Kosovës. Ne shpresojmë se të gjitha këto gjëra do të bëhen në të mirën e përgjithshme të të gjithë qytetarëve të Kosovës edhe në të ardhmen”, tha gjenerali italian.

Ndërsa lidhur me investimet dhe projektet e tilla edhe në Mitrovicën Veriore, komandanti i KFOR-it tha se me vullnetin dhe dëshirën e qytetarëve të të dyja anëve do të ketë projekte të tilla edhe në Veri.

“Shpresojmë që të ndodhë kjo dhe të ketë vullnet sepse të dyja palët duhet të shprehin vullnetin e tyre, si qytetaret e pjesës veriore ashtu edhe të asaj jugore. Vullneti dhe dëshira nga ana e pjesëtarëve të FSK-së nuk ka munguar ne do të vazhdojmë t’i mbështesim këto projekte edhe në të ardhmen dhe ne momentin që ata janë të gatshëm të pranojnë FSK-në edhe në veri ne do të jemi ata të cilët do t’i mbështesim ata për punët që do t’i kryejnë atje”, tha komandanti i KFOR-it.

Foto: MFSK