Përmbytje në LIpjan - Foto: KALLXO.com

Fshatrat e Lipjanit nën vërshime, stafi i Komunës në vikend në Shqipëri

Në mbrëmjen e së shtunës, shumë zona të komunës së Lipjanit janë goditur nga vërshimet.

Banorët janë ankuar se shiu ka shkaktuar shumë dëme infrastrukturore dhe në toka bujqësore.

Sipas kryetarit të komunës së Lipanit, Imri Ahmeti, zona lindore e komunës është përfshirë në masë më të madhe nga vërshimet.

“Kryesisht zona lindore e Lipjanit, Sllovia, Smallusha, Gadime e Epërme, Gadime e Poshtme, Çallapeku, Banulla, Gllogovci. Këto janë fshatrat që kanë pasur vërshime gjatë natës së të shtunës”, tha Ahmeti për KALLXO.com.

Kryetari tha se aktualisht janë tri ekipe në teren, të cilët po merren me vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në ekonomitë familjare.

Komuna ka formuar një ekip i cili po merret me vlerësimin e dëmeve në infrastrukturën fizike për rrugët dhe urat, ndërsa Drejtoria e Bujqësisë po merret me dëmet e shkaktuara në bujqësi.

Mbrëmjen kur ndodhën vërshimet, asnjë nga zyrtarët komunalë nuk dolën të vizitojnë banorët e Lipjanit dhe fshatrave përreth, pasi që punëtorët e komunës ishin në një pushim vikendi në Shqipëri, që ishte porganizuar nga Sindikata e komunës së Lipjanit.

“Ka rastisur me qenë atje, nuk ka pas paralajmërim që do të bjerë shi e do të ketë nevojë me qenë ksajde. Nuk na ka ka paralajmru askush”, u shpreh Amheti.

Në fshatin Sllovi të komunës së Lipjanit, vërshimet kanë shkaktuar shumë dëme infrastrukturore në rrugët dhe oborret e banorëve.

Sipas kryetari të fshatit, Murat Gërbeshi, dëmet janë mjaft të mëdha, por pritet të vlerësohen nga komisioni komunal.

Ai tha për KALLXO.com se dje janë vizituar nga kryetari i komunës dhe zyrtarë të tjerë.

“Dje ka qenë kryetari, nënkryetari dhe një drejtor. Për së afërmi kanë vëzhguar fshatin Sllovi, Smallushën, Gadimen, dhe sot i kanë bërë komisionet për vlerësimin e dëmeve materiale dhe janë në teren duke vëzhguar”, tha Gërrbeshi për KALLXO.com.

Të reshurat në mbrëmjen e të shtunës i kanë shkaktuar dëme edhe banorit Maliq Rrahmani, nga i njëjti fshat.

“E ka dëmtu oborrin, e ka gropu krejt… në shpi jo, por deri afër shkallëve, i kemi nejtë gati me pastru diqysh”, tha Rrahmani.

Vërshimet kanë shkaktuar dëme edhe në fshatin Gadime të kësaj komune.

Në këtë fshat, si pasojë e vërshimeve janë shkaktuar shumë dëme në infrastrukturë, ku shihej edhe asfalti i prishur si pasojë e të reshurave.

Kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti tha për KALLXO.com se pritet që deri nesër të kenë një raport përfundimtar të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.

Ai tha se do të rishikojnë mundësitë e komunës për kompensimin e dëmeve dhe do ta adresojnë si kërkesë në fondin për kompensim të dëmeve në nivel vendor.