Fruthi në Kosovë, Thirrje që të Vaksinohen Fëmijët

KOMF i bën thirrje Qendrave të Mjekësisë të realizojnë vizita mjekësore për fëmijët në shtëpi

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF  ka reaguar mbi situatën e krijuar për rrezikimin e jetës së fëmijëve për shkak të mosvaksinimit, ku si pasojë dje, një fëmijë 14 muajsh ka humbur jetën me ç’rast ishte diagnostikuar me fruth dhe nuk ishte i vaksinuar.

KOMF u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjor të fëmijëve, të vaksinojnë fëmijët në kohë për të parandaluar sëmundjet të cilat mund të jenë me pasoja fatale apo vdekjeprurëse.

Sipas Anketës së Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë në Republikën e Kosovës (ASK, UNICEF), më pak se katër të pestat (79%) e fëmijëve të moshës 24 deri 35 muaj janë plotësisht të imunizuar në përputhje me kalendarin e imunizimit të Kosovës.

Në Kosovë 79% e fëmijëve të moshës 24-25 muajsh janë të vaksinuar plotësisht, përderisa vetëm 1/3 e fëmijëve janë të vaksinuar në mesin e komunitetit rom ashkali dhe egjiptian.

”Duke qenë se një nga arsyet për mbulimin e ulët të imunizimit është mungesa e njohurive dhe ndërgjegjësimit tek prindërit për pasojat shëndetësore tek fëmijët që nuk vaksinohen, KOMF u bën thirrje institucioneve shëndetësore të kujdesit primar (Qendrave të Mjekësisë Familjare) të realizojnë shërbimin e vizitave mjekësore në shtëpi për evidentimin e fëmijëve të pavaksinuar dhe zbulimin e sëmundjeve të fëmijëve”, bëhet e ditur në komunikatën e KOMF-së.

KOMFi bën thirrje QKUK-së në ofrimin e shërbimeve cilësore për fëmijët të cilët janë duke u trajtuar në QKUK si pasojë e mos imunizimit. KOMF  po ashtu i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë të sigurojë në mënyrë të qëndrueshme barnat nga lista esenciale.

E drejta e fëmijës për trajtim shëndetësor si e drejtë themelore garantohet me Kushtetutën dhe me Legjislacionin e Republikës së Kosovës./21Media