Zyrat qendrore te Interpolit. Foto: Interpoli.

Frika e Serbisë nga Anëtarësimi i Kosovës në Interpol, ‘e Pabazë’

Beogradi e pranon se Kosova së shpejti mund të bëhet anëtare e Interpolit, por frika e tij se kjo mund të çojë në arrestimin e anëtarëve të forcave serbe të sigurisë është e gabuar, thanë ekspertët.

Oferta e Kosovës për t’iu bashkuar Interpolit ka shkaktuar frikë në Serbi se mund të lëshohen urdhra ndërkombëtarë arresti për anëtarët e forcave të saj të sigurisë të cilët morën pjesë në luftën e Kosovës në vitin 1999, por OJQ-të thanë se ndjekja penale e kriminelëve të dyshuar të luftës varet nga vullneti politik në vetë Serbi.

NDËRLIDHUR

“Edhe nëse Kosova i bashkohet Interpolit, kjo nuk do të thotë se Serbia duhet të ekstradojë njerëzit që kërkohen nga Kosova. Secili shtet anëtar vendos vetë se çfarë duhet të bëjë me urdhër arrestimet e lëshuara nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit,” tha Sasha Gjorgjeviq nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë.

Gjorgjeviq tha se nuk ka asnjë sanksion për mosekstradimin e njerëzve që kërkohen nga Interpoli dhe se ekstradimi kryesisht varet nga besimi reciprok.

Ai shtoi se oferta e anëtarësimit të Kosovës në Interpol po “politizohej” në Serbi, me disa ekspertë që shprehen kundër anëtarësimit të saj.

Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj tha të mërkurën se vendi po kërkonte mbështetje për të siguruar anëtarësimin në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit në shtator.

“Ka shumë vende që nuk e kanë njohur Kosovën, por kanë shprehur vullnetin për të mbështetur anëtarësimin e saj,” tha Hoxhaj.

Kosova ka aplikuar dy herë më parë për anëtarësim në Interpol, por është refuzuar, herën e fundit në nëntor 2006.

Megjithatë, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se këtë herë Kosova mund të ketë sukses në kërkesën e saj.

“Përveç Kosovës, Palestina dhe Ishujt Solomon kanë aplikuar gjithashtu. Si mund të thoni “votoni për Palestinën, por jo për Kosovën?” tha Daçiq për gazetën e përditshme “Danas” të enjten e kaluar.

Sekretarja e shtetit në Ministrinë e Brendshme të Serbisë, Biljana Popoviq Ivkoviq, shprehu shqetësim të mërkurën se “ish-terroristët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” mund të gjenin dëshmitarë të rremë kundër policëve serbë që të lëshohen urdhra ndërkombëtarë arresti.

Autoritetet e Prishtinës po kërkojnë arrestimin e 57 shtetasve serbë nën dyshimet se kanë kryer krime lufte në fund të konfliktit të viteve 1990, edhe pse urdhër arrestet s’mund të ekzekutohen jashtë kufijve të Kosovës.

Ndërkohë, Serbia ka urdhra aktivë për arrestimet e ish-guerilëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën akuzat për krime lufte, që Prishtina i konsideron të motivuar politikisht.

Arrestimi në Francë në janar i ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj bazuar në një nga këto urdhër arreste serbe, shkaktoi zemërim në Kosovë, edhe pse ai nuk u ekstradua në Beograd.

Nemanja Stjepanoviq nga Qendra për të Drejtën Humanitare në Serbi tha për BIRN se Serbia dhe Kosova duhet ta zgjidhin çështjen e ndjekjes penale të kriminelëve të dyshuar të luftës gjatë negociatave të tyre të ndërmjetësuara nga BE në Bruksel.

“Serbia duhet të njohë institucionet e Kosovës dhe kërkesat e tyre, përfshirë ata që kalojnë përmes Interpolit,” tha Stjepanoviq.

Në vitin 2015, Interpol lëshoi “njoftime të kuqe” duke bërë thirrje për arrestimin e ish-gjeneralit serb dhe deputetit Momir Stojanoviq si dhe 16 persona të tjerë që ishin anëtarë të forcave të Beogradit gjatë luftës në Kosovë, nën akuzat se kishin kryer krime lufte kundër civilëve.

Njoftimet e kuqe, të cilat konsiderohen si gjëja më e afërt me një urdhër arresti ndërkombëtar, u lëshuan në bazë të një kërkese të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Megjithatë, Serbia i ka injoruar krejtësisht këto njoftime të kuqe, tha Stjepanoviq.

Ai tha se çdo ndjekje e mundshme penale varet nga qëndrimi i Serbisë dhe jo nga fakti nëse Kosova do të bëhet anëtare e Interpolit.

“Kam frikë se çfarëdo që të ndodhë, Serbia do të vazhdojë t’i strehojë ata persona të dyshuar për krime lufte në Kosovë,” tha Stjepanoviq.

04 Gusht 2017 - 11:41

Filip Rudic, BIRN 04/08/2017 - 11:41
NDËRVEPRIMI0

Frika e Serbisë nga Anëtarësimi i Kosovës në Interpol, 'e Pabazë'

by Kallxo
NA NDIQNI

Send this to a friend