Gjykimi për sulmin në Kuvend | Foto: KALLXO.com

Frashër Krasniqi: Prokuroria Falsifikoi Përgjimin

Në gjykimin për sulmin në Kuvend, Frashër Krasniqi tha se prokuroria ka falsifikuar përgjimin e një bisede që e ka përfshirë në kallëzimin penal.

Krasniqi tha se në përgjimin që e ka cituar prokuroria thuhet se “Na në RTK gjuajmë veç fjalë e asi”, ndërsa sipas tij në transkriptet e përgjimeve thuhet diçka krejt tjetër.

“Na në RTK gjuajmë fjalë-bomba e asi jemi kundër”, tha Frashër Krasniqi të jetë e shkruar në transkriptet e përgjimeve.

Duke u ndalur në një bisedë që prokuroria e konsideron inkriminuese për të, Krasniqi tha se pse atëherë nuk po arrestohet bashkëbiseduesi i tij-kryetari i “Vetëvendosjes” Visar Ymeri.

Krasniqi më tutje deklaroi se aktivistët u arrestuan para protestës së 1 shtatorit kundër marrëveshjes së demarkacionit “ sepse pushtetit i është dashur me i frikësu njerëzit”.

Sipas Krasniqit për sulmin në Kuvend janë duke u hetuar edh pesë persona tjerë që nuk kanë lidhje me “Vetëvendosjen”, të cilët nuk janë arrestuar.

Frashër Krasniqi më tutje e bëri përgjigjës prokurorin Avdurrahim Islami për vdekjen e Astrit deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor 2016.

Prokurori Avdurrahim Islami tha se nuk çuditet nga kundërshtimi i provave të aktakuzës prej Frashër Krasniqit, por deklaroi se po e çudit fakti që këtë kundërshtim po e bën edhe avokati i tij.

Prokurori Islami mohoi përgjegjësinë për vdekjen e Astrit Deharit.

Prokurori nuk cakton paraburgim për askënd, por atë mund ta bëjë vetëm gjykata. Unë kam kërkuar për gjashtë persona paraburgim dhe gjykata ka caktuar atë për tre persona”, tha Avdurrahim Islami.

Aktivistët e “Vetëvendosjes u arrestuan më 30 gusht 2016.

http://kallxo.com/gjashte-te-arrestuar-per-sulmin-ne-kuvend/

Shkrimet që lidhen me sulmin në Kuvend mund t’i lexoni këtu.