Presidenti francez, Emannuel Macron dhe ushtarë të vendit të tij - Foto: Rtv21

Franca Ndan 295 Miliardë Euro për Modernizim e Armatës

Qeveria e Francës synon që të rritë buxhetin për ushtri në periudhën prej vitit 2019 deri në vitin 2025 dhe gjatë kësaj periudhe për këtë qëllim do të ndahen 295 miliardë euro.

Propozim-ligji për buxhetin e ushtrisë, i cili u shpalos sot në takimin e qeverisë, parasheh shumën prej 295 miliardë euro për të mbuluar shpenzimet e përgjithshme për mbrojtje gjatë periudhës së përmendur, shkruan rtv21.tv.

Buxheti ushtarak prej 34 miliardë euro për këtë vit do të rritet për nga 1.7 miliardë euro në vit deri në vitin 2022.

Nga viti 2023 deri në vitin 2025 është paraparë që buxheti të rritet nga 3 miliardë euro në vit.

Paratë është paraparë të ndahen për modernizimin e armatimit, përmirësimin e kapaciteteve për mbrojtje nga sulmet kibernetike dhe për përmirësimin e punës së shërbimeve të inteligjencës.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka premtuar se deri në vitin 2025 do të shtojë shpenzimet për ushtri për dy për qind të bruto prodhimit të brendshëm, ashtu siç ka kërkuar NATO nga shtetet anëtare.

Franca ka me mijëra ushtarë të stacionuar nga Lindja e Afërt deri në Afrikë dhe do të mbetet fuqia e vetme bërthamore brenda Bashkimit Europian, pas largimit të Britanisë nga unioni./21Media