Franca e Mban Haradinajn në Paraburgim

I arrestuar dje në aeroportin ndërkombëtar të Basel-Mulhouse-Fribourg nga autoritetet franceze, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj me vendim të Gjykatës së Apelit të Colmarit është dërguar në paraburgim.

Agjencia e lajmeve “Reuters” njofton se kjo Gjykatë ka urdhëruar mbajtjen e Haradinajt në paraburgim në pritje të pranimit të një kërkese formale për ekstradim nga Serbia.

Gjykata do të vendosë më pas rreth vlefshmërisë juridike të kësaj kërkese, njofton agjencia e lajmeve.

Ramush Haradinaj u arrestua dje porsa ka zbritur nga një avion me të cilin kishte udhëtuar nga Prishtina.

http://kallxo.com/arrestohet-ne-france-ramush-haradinaj/

Arrestimi i tij u bë në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Serbia më 2004.

Autoritetet serbe e akuzojnë ish-komandantin e UÇK-së për krime lufte të kryera gjatë viteve 1998-99.

Në bazë të këtyre akuzave, Haradinaj është gjykuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, e cila e kishte shpallur të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Bashkëshortja e Ramush Haradinajt, Anita, i tha televizionit publik sot se janë në pritje të një konfirmimi zyrtar rreth vendimit të Gjykatës së Apelit të qytetit francez.

Arrestimin e ish-kryeministrit Haradinaj në bazë të fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia e kanë dënuar dje institucionet e Kosovës, drejtuesit e partive politike dhe OVK e UÇK-së.

http://kallxo.com/thaci-papranueshem-arrestimi-haradinajt/

Ndërsa, nënkryetarja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunacek, ka kërkuar sot nga Bashkimi Europian që t’i bëjë presion Serbisë për t’i larguar kosovarët nga listat e fletarresteve të moçme.

http://kallxo.com/lunacek-kerkon-terheqjen-e-fletarresteve-nga-serbia/