Foto: Atdhe Mulla

Fotografon Fletëvotimin me Dy Kandidatët e Rrumbullakuar

Dy votues në Gjakovë janë marrë në pyetje nga prokurori pasi është zënë duke e fotografuar fletëvotimet e tyre.

Në rastin e parë, prokurori kujdestar i Gjakovës, Ali Uka, tha për KALLXO.com se i dyshuari është një votues i cili në fletëvotimin e tij kishte rrumbullakuar të dy kandidatët në garën e balotazhit në Gjakovë, Ardian Gjinin e AAK-së dhe Mimoza Kusarin e Alternativës.

Kur është pyetur nga prokurori pse i ka rrumbullakuar dy kandidatët, ai ishte përgjigjur se i pëlqejnë që të dy, prandaj nuk ka mundur ta bëjë zgjedhjen mes tyre.

Në një rast tjetër, prokurori Uka tha se i dyshuari për fotografim të fletëvotimit është një mërgimtar nga Amerika i cili ka rastisur këto ditë në Kosovë.

Ai i ka thënë prokurorit se nuk ka qenë në dijeni që fotografimi i fletëvotimit është i ndaluar me ligjet e Kosovës.