Foto: Zyra e Presidentit të Kosovës

Fotografitë e Shtrenjta të Presidentit Thaçi

Komuna  e Klinës ka porositur 100 fotografi në korniza të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Kësaj komune blerja e 100 fotografive të Presidentit do t’i kushtojë 1 mijë e 750 euro, apo do të paguajë 17,5 euro për një fotografi të Thaçit në kornizë.

Komuna e Klinës nuk ka treguar se ku do të vendosën 100 fotot në kornizë të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Të kontaktuar nga KALLXO.com, Zyra e Kryetarit Sokol Bashota ka thënë se fotografitë e Presidentit do të vendosen konform Ligjit për Protokollin e Shtetit, duke mos saktësuar institucionet ku do të vendoset. Vendosja e këtyre fotografive është paraparë të bëhet me vendim të kryetarit të Komunës së Klinës.

“Fotografitë e Presidentit te Republikës së Kosovës do të vendosen në përputhje me dispozitat ligjore pozitive si dhe aktet e tjera nënligjore për implementim e tij”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Skender Behramajt, asistentit të kryetarit.

E ligji për Protokollin e Shtetit thotë se fotografitë e Presidentit duhen të vendosen në institucionet lokale dhe qendrore, por nuk përcakton se në cilat institucione dhe nëse aty përfshihen edhe shkollat.

Në nenin 20 të Ligjit për Protokollin e Shtetit thuhet se “Obligohen të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që në mjediset e tyre ta vendosin fotografinë e Presidentit. Përmasat minimale duhet të jenë 40 – 60 cm”.

Komuna e Klinës e ka rekomanduar për kontratë kompaninë “Europrinty” për furnizim me 100 fotografi me kornizë të Presidentit për një kosto prej 1,750 eurove apo 17.5 euro për secilën kornizë.

Gazeta JNK i ka dërguar pyetje zyrës për prokurim në këtë komunë se ku do të vendosen këto fotografi dhe se a ka pasur më parë fotografi të ish-Presidentes Jahjaga.

“Vendosja e tyre është bërë bazuar nga vendimi i zyrës së kryetarit. Procedurë për furnizim me fotografi të ish-Presidentes Jahjaga nuk është udhëhequr, nuk është kërkuar”, thuhet në përgjigjen e kësaj zyreje.

Ndërsa në pyetjen për fotografinë e Presidentes Jahjaga, zyra e kryetarit Sokol Bashota thuhet se ka qenë një foto e vendosur në zyrën e kryetarit.

“Fotografia e ish Presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, ka qenë e vendosur në zyrën e kryetarit te komunës”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryetarit Bashota.

Fotografia e Presidentit Thaçi e vendosur në Zyrën e Kryetarit të Komunës së Klinës. Foto: Facebook
Fotografia e Presidentit Thaçi e vendosur në Zyrën e Kryetarit të Komunës së Klinës.
Foto: Facebook

Gazeta JnK ka kërkuar nga kompania fituese të dijë se a janë të gjitha fotografitë në kornizë të së njëjtës madhësi, por nuk ka marrë përgjigje. Përgjigje nuk ka kthyer as Zyra e Presidentit të Kosovës nëse kërkesa për vendosjen e fotografive është bërë nga kjo zyrë.

Universiteti Publik “Haxhi Zeka” do të shpenzojë 29,4 euro për blerjen e kornizës ku do të vendosen fotografitë e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Në njoftimin për nënshkrimin e kontratës thuhet se kontrata prej 499 eurove është nënshkruar me kompaninë “Grand Studio” me datën 25 janar 2017. Aty nuk janë dhënë detaje nëse kompania obligohet të furnizojë kolegjin edhe me fotografi të Presidentit.

Drenusha Gaxherri, nga zyra për Komunikim me Publikun e këtij Universiteti ka thënë se me këtë shumë të mjeteve do të blihen 17 korniza për fotografi të Presidentit. Në bazë të një kalkulimit të thjeshtë i bie se një kornizë është blerë 29,4 euro.

“Numri i Kornizave për foto të Presidentit është shtatëmbëdhjetë (17), hapësirat në të cilat është paraparë të vendosen janë të gjitha zyrat e nivelit drejtues dhe të lartë drejtues në Universitetin “Haxhi Zeka” – Pejë. duke përfshirë këtu menaxhmentin, dekanët, drejtorët e departamenteve dhe udhëheqësit e njësive akademike nga ana e administratës dhe sallat e organeve vendimmarrëse të universitetit – senatit etj”, tha Gaxherri.

Tha se këto fotografi po blihen për të respektuar Ligjin për Protokollin e Shtetit.

“Arsye e inicimit, zhvillimit dhe përfundimit të procedurës së prokurimit të shpallur në organin kompetent të cilin ju e keni konsultuar ka qenë obligueshmëria e zbatimit të Ligjit Nr.03/L-132 për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës, konkretisht paragrafi 3 i nenit 20 – “Presidenti/ja/i e Republikës”, tha Gaxherri.