Fotografitë e ekspozitës së Shkëndije Hodajt | Foto: KALLXO.com

Fotografitë e ish-Ushtares për Krimet në Gjakovë

Veterania e UÇK-së Shkëndije Hoda hapi sot në Gjakovë ekspozitën me fotografi të krimeve të luftës në këtë qytet.

Hoda që ishte edhe oficere në TMK dhe është bashkëpunëtore e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, tha se pas luftës bashkë me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së kishte mision gjetjen e kufomave dhe varrimin e tyre.

Ajo tregoi se ku i gjeti fotografitë e ekspozitës.

“Nëse flasim për fotografi të kriminelëve, janë gjetur në shtëpitë e tyre ose në vendet ku ata kanë operu,” tha Hoda.

Ajo deklaroi se raportet e tensionuara të kohëve të fundit mes Serbisë e Kosovës e shtynë që ta hapë ekspozitën pikërisht në këtë kohë.

“Situata e fundit e krijuar në Kosovë me vetë faktin e arrestimit të Ramush Haradinajt, ardhjen e pelegrinëve serbë në kishën ortodokse në Gjakovë, murin në Mitrovicë, trenin e fundit më bëri për një moment ta hapim këtë ekspozitë në bashkëpunim me Institutin e Krimeve të Luftës,” tha Hoda.

Ekspozitën e vizitoi edhe Afrim Domi, babai i Yllka Domit, poetes së re kosovare të vrarë në Çabrat.

“Vërtet vitet po kalojnë por ajo që është bërë mbi popullin shqiptar nuk harrohet kurrë. Krimet që janë të panumërta, kriminelët serbë i kanë bërë edhe ato që nuk mund të paramendohen, duke vrarë fëmijë, gra, pleq. Prapëseprapë mirë është që bëhen këto ekspozita për të na kujtuar sepse disa prej nesh i kemi harruar,” tha Domi.

Ekspozita u hap në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” të Gjakovës.