FOTOGALERI: Forca të mëdha policore në Pejë në prag të ndeshjes Prishtina- Drita

Forca të mëdha policore janë dislokuar në Pejë në prag të ndeshjes së futbollit mes Prishtinës dhe Dritës.

Kjo ndeshje do të përcaktojë fituesin e sivjemë të Vala Superligës së Kosovës.

Siç dëshmojnë fotografitë e gazetarit të KALLXO.com, forca të mëdha policore janë vendosur në pjesën e qytetit të Pejës ku gjendet stadium “Shahin Haxhiislami”.

Në Pejë tashmë kanë arritur një numër i madh i “Plisave”, tifozë të Prishtinës, dhe i “Intelektualëve”, tifozë të Dritës.

Drita e Gjilanit momentalisht është në vend të parë me 3 pikë më shumë sesa rivali direkt për titull, Prishtina.

Drita shpallet kampion me fitore, barazim apo edhe nëse humb me një gol diferencë, ndërsa Prishtinës i duhet fitorja me dy e më shumë gola diferencë që të shpallet kampion i Kosovës në futboll.

Kjo matematikë është për shkak se në dy ndeshjet e para ndërmjet këtyre dy klubeve, Drita ka një fitore si mysafir dhe një barazim si vendas.

Drita ka shënuar fitore si mysafire e Prishtinës me rezultat 0:1, ndërsa ndeshja e dytë në Gjilan ka përfunduar 0:0. Ndërsa ndeshjen e tretë, Prishtina llogaritet si vendas dhe për shkak të humbjes së parë si vendase, tani i duhen dy e më shumë gola që të shpallet kampion.

Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Shahin Haxhiislami” në qytetin e Pejës, meqë renovimi i stadiumit të kryeqytetit ende nuk ka përfunduar.