Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri ia dorëzon kupën e kampionit skuadrës së Dritës - Foto: KALLXO.com

FOTOGALERI: Drita dhe ‘Intelektualët’ festojnë titullin e kampionit

Grupi i tifozëve “Intelektualët” ka vërshuar fushën e stadiumit “Shahin Haxhiislami” në Pejë për të festuar bashkë me ekipin e tyre të zemrës, Dritën, e cila me barazimin përballë Prishtinës, e siguroi titullin e kampionit të Superligës së Kosovës në futboll.

Kupën kampionëve të rinj ua ka dorëzuar kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Ekipi nga Gjilani ishte më i mirë në fushën e lojës, duke pasur disa raste të qindpërqindta shënimi.

Megjithatë, rezultati në ndeshjen Prishtina-Drita përfundoi i barabartë, zero me zero.

Prishtina këtë ballafaqim e përfundoi pa dy lojtarët më me përvojë, Debatik Curri e Armend Dallku, të cilët u përjashtuan me kartonë të kuq.

Ndeshja, e cila ishte vendimtare për të kuptuar kampionin e Vala Superligës, u zhvillua në Pejë, ku Prishtina ishte nikoqir, për shkak se stadiumi i skuadrës nga kryeqyteti ende nuk është rinovuar tërësisht.

Ekipi i Dritës është shpallur kampion i Superligës së Kosovës, vetëm një herë, në sezonin 2002-2003.

Ndërsa, ekipi i Prishtinës, është shpallur gjashtë herë kampion që nga vitit 1999, duke u bërë ekipi me më së shumti tituj kampion në Kosovë. Prishtina ka qenë kampion në sezonin 2003-04 dhe dy herë fitoi dy tituj me radhë, në vitet 2007-08, 2008-09 dhe 2011-12, 2012-13.

Këto janë fotot e gazetarit të KALLXO.com nga festa e klubit Drita dhe e grupit të tifozëve “Intelektualët”.