Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në një qendër votimi në Drenas - Foto: Atdhe Mulla

Formula e Prodhimit të Fletëvotimeve nga KQZ-ja

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet në Drenas ka shtypur 2 mijë e 669 fletëvotime më pak sesa numri i votuesve .

Kjo bëhet për të kursyer buxhetin dhe për arsye se asnjëherë nuk ndodh që të votojnë të gjithë ata që e kanë këtë të drejtë.

KALLXO.com ka siguruar shkresën të cilën kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së Enis Halimi ua ka dërguar anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në të cilën i njofton ata për shtypje të 5 për qind më pak fletëvotimeve se numri i votuesve në Drenas.

“Numri i fletëvotimeve që do të shtypen është 49 mijë e 900 apo 2 mijë e 669 (shprehur në përqindje 5,1%) më pak se numri i votuesve në listën përfundimtare të votuesve (52 mijë e 569 votues),” thuhet në këtë shkresë.

Në shkresë jepet edhe formula se si Sekretariati i KQZ-së e ka llogaritur numrin e fletëvotimeve që do të shtypen.

Sekretariati bën rrumbullakimin e numrit të fletëvotimeve nëpër secilin vendvotim në bazë të numrit të votuesve të tij, duke shtypur pastaj 100 deri 149 fletëvotime më pak.

Në llogaritje hyjnë edhe vendvotimet e dyfishta, ndërsa shtypen edhe fletëvotime rezervë.

Për zgjedhjet e sotme për kryetar të Drenasit nëpër vendvotime janë shpërndarë 47 e 850 fletëvotime, ndërsa 2050 fletëvotime rezervë janë dërguar në objektin e kësaj komune për t’u marrë nga qendrat e votimit nëse ka nevojë për to.

Raportuesit e KALLXO.com treguan se pati raste kur fletëvotimet nëpër qendrat e votimit nuk u përputhën me numrin e votuesve.

Mungesë të fletëvotimeve kishte në qendrën e votimit 0306e në Shkollën Fillore “Zenel Hajdini” në Terstenik.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit janë thirrur për shkak se ish kryetarit të komunës, Nexhat Demaku, muajin e kaluar Gjykata e Apelit ia vërtetoi një dënim në një akuzë për krime të luftës.

Në to kanë të drejtë vote rreth 53 mijë persona.

http://kallxo.com/hapen-kutite-e-votimit-ne-drenas/

KALLXO.com gjatë monitorimit të zgjedhjeve në Drenas vërejti disa parregullsi.

http://kallxo.com/kallxo-com-veren-parregullsi-ne-zgjedhjet-ne-drenas/